Godinat e izoluara me eternit, burim sëmundjesh
BERAT - Veç ndotjes nga ish-uzina e baterive si dhe dy ndërmarrjeve të përpunimit të lëkurës, Beratit i shtohet edhe një tjetër rrezik, ai që vjen nga shpërbërja e eternitit. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, doktor Ajet Veleshja, u shpreh se banorët rrezikohen seriozisht nga kjo lëndë. Eterniti është përdorur kohë më parë për izolimin e godinave të tilla siç janë magazinat që ndodhen në hyrje të qytetit, repartet ushtarake, por edhe godina të tjerë të kohës së monizmit. Edhe në Kuçovë e Çorovodë ka shumë ndërtesa që janë mbuluar duke u izoluar me këtë material. Drejtori Veleshnja u shpreh se ky lloj materiali që është përdorur rreth 50 vjet më parë dhe në vazhdim po kthehet në rrezik të madh për jetën e njerëzve. Sipas tij, eterniti, i përbërë nga përzierje lëndësh kimike tashmë, pas shumë kohësh është shpërbërë dhe vepron në ajër. Kjo shpërbërje depërton në mushkëri të banorëve nga ku më pas krijohen probleme, u shprej Veleshnja. Shenjat e parë i kanë dhënë disa persona të cilët kanë ngritur banesat e tyre pranë këtyre magazinave të izoluara me eternit. Disa prej tyre madje janë strehuar edhe në këto ish magazina apo reparte. "Janë shumë godina të izoluara me këtë lloj materiali i cili gjatë viteve, në kontakt me fenomenet e natyrës dhe nga vetë amortizimi i tij po shpërbëhet në natyrë duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e mjaft banorëve", shtoi më tej Veleshnja. Ai i ka bërë kërkesë edhe institucioneve vendore të marrin masa për këtë fenomen sa nuk është vonë. Berati është tejet i ndotur nga plumbi i ish-uzinës së baterive, nga përpunimi i lëkurave si dhe nga lënda e eternitit me të cilën janë izoluar një pjesë e mirë e godinave të vjetra. d.xh