E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi në Mirditë, fansat e Marës marrin autorësinë

 

Grupi i fansave të Ledion Marës, personit që mbeti i vrarë në tragjedinë e 7 gushtit në Durrës është riaktivizuar dje në "facebook". Këtë herë kanë marrë shkas nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në mes të qytetit të Rrëshenit, ku dy të rinj sulmuan me armë grupin e gatshëm të policisë. "Besoj se dje shteti e mori përgjigjen tonë të parë, prisni se do të bëhen më shumë". Kjo ishte tema e vendosur nga administratori i këtij grupi që u bë i "famshëm" menjëherë pas ngjarjes së 7 gushtit në Durrës, ku Ledion Mara u vra gjatë operacionit të policisë për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Fansat e Marës i bënin karshillëk shtetit në "facebook", duke vënë madje miliona lekë shpërblim për personin që do të publikonte emrat e policëve, që morën pjesë në aksionin ku u vra Ledion Mara. Dje grupi i fansave ka mirëpritur edhe incidentin e rëndë që shkaktoi panik në qytetin e Rrëshenit, e njëkohësisht rrezikoi edhe jetën e efektivëve të Policisë së Shtetit. "Policia e famshme e shtetit ia mbathi nga 2 çuna që nuk po ia përmend identitetin për arsye se ata kërkohen tani. Ata qëlluan mbi policinë për afro 10 minuta me armë zjarri dhe policët ia mbathën nga vendngjarja", citohej dje në "facebook". Por edhe mjaft aktivistë të tjerë të kësaj faqeje mbështesnin temën e administratorit, duke dhënë komentet e tyre në favor të dy djemve, të cilët terrorizuan një qytet të tërë. Ndërkohë, policia e Mirditës bëri të ditur dje se janë identifikuar autorët që sulmuan efektivat blu. Sipas policisë, autorët e ngjarjes së rëndë që ndodhi rreth orës 20:10 të së shtunës në shëtitoren e qytetit të Rrëshenit janë Edmond Biba, lindur në komunën Fan të Mirditës dhe banues në Tiranë, si dhe Arjan Përleka, nga fshati Ndërfushas. "Patrulla e shërbimeve të rendit, e cila patrullonte në qytet, është ndaluar nga Edmond Biba (Ndoj ) dhe Arjan Përleka, të cilët kanë filluar duke ofenduar dhe qëlluar punonjësit e policisë. Biba dhe Përleka janë larguar me shpejtësi me një mjet "Benz" me ngjyrë të zezë, me targa MR 2201 A, ku gjatë largimit kanë qëlluar me armë zjarri dy herë me nga dy goditje, në ajër", thuhej në njoftimin e policisë, duke mohuar shkëmbimin e zjarrit nga ana e uniformave blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›