E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, përleshen të burgosurit



BURREL - Të paktën gjysmë ore ka zgjatur përleshja mes të dënuarve në burgun e Sigurisë së Lartë, Burrel. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 13, por ajo nuk u bë e ditur deri dje paradite, kur Prokuroria e Rrethit Mat nisi hetimet rreth dhunës që të burgosurit ushtruan mbi njëri-tjetrin. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes pohuan për gazetën "Panorama" se përleshja nisur në sheshin e ajrimit të sektorit A, teksa të paktën 12 persona janë kacafytur me njëri-tjetrin, derisa ndërhyrja e efektivave të sigurisë bëri të mundur izolimin e shumicës së tyre, ndërkohë që dy prej më të dëmtuarve janë dërguar në ambulancën e burgun për mjekim. "Në këtë sektor nuk ka të dënuar me burgim të përjetshëm. Rrahja mes të burgosurve është kthyer si një fenomen i zakonshëm. Herë pas here "grupet rivale" rrihen në sheshet e ajrimit apo korridoret e qelive. Rrihen edhe për gjëra të rëndomta. Edhe të hënën në mesditë, të dënuarit e sektorit A janë rrahur për motive banale. Ka mjaftuar një fyerje mes dy të burgosurve, që kolegët e tyre të përfshihen në rrahje. Përveç grushteve e shkelmave, njëri nga të dënuarit ka përdorur gjatë konfliktit një shufër metalike", pohuan burime nga brenda burgut. Fakti i futjes së shufrës në qeli ka vënë në alarm drejtuesit e burgut. Nisja e hetimit nga ana e Prokurorisë së rrethit pritet të zbardhë dhe shkaqet e ngjarjes dhe praninë e mjetit të fortë në burgun e Burrelit. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›