E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët, në këmbë për votën



Erald Kapri

Të enjten pritet që të votohet për tri kandidatët e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës, Topi, për në Gjykatën e Lartë, me votim të hapur nominal. Kjo do të thotë se deputetët do të votojnë në mënyrë të hapur, por edhe në mënyrë individuale. Referuar ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, për të cilat opozita i kundërshtoi ashpër, çdo deputet duhet të çohet në këmbë dhe të deklarojë votën e tij pro ose kundër, ndaj të tre kandidatëve. Deputeti mund të japë edhe një shpjegim vote, nëse ai e sheh të arsyeshme. Kjo procedurë tashmë do të jetë standard për të gjitha dekretet e kreut të shtetit. Ndërkaq dje në Komisionin e Ligjeve u zhvillua seanca e fundit dëgjimore, me kandidatin Vexhi Muçmata. Sot Komisioni do të paraqesë raportin e tij në Kuvend, ku do të japë edhe relacionet përkatëse për të tri kandidatët. Njëkohësisht, Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë një votim për tri kandidatët. Në seancën e djeshme dëgjimore me kandidatin Muçmata, disa deputetë të PD-së pyetën kandidatin në lidhje me karrierën e tij, të kaluarën, por edhe për çështje konkrete, si pasuria e tij apo çështje të shqyrtuara në punën si prokuror. Muçmata ka një karrierë 20-vjeçare, në sistemin e Prokurorisë. Ai tha se gjatë punës së tij 20-vjeçare, nuk kishte pasur ndërhyrje politike. Ai më pas deklaroi se ka një pasuri të vërtetuar qartë dhe kërkoi nga ana e Inspektoratit të Lartë të Pasurive që të bëjë sqarimet përkatëse për pasurinë e tij. Muçmataj u pyet edhe për kohën e para viteve '90, kur ai ka punuar për disa vite si hetues. Kandidati për në Gjykatën e Lartë deklaroi se nuk mban mend konkretisht nëse mund të ketë hetuar ndonjë çështje për arsye politike. "Për shkak të kohës së gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike, që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Nëse do të më kujtohej ndonjë, do ta thosha para këtij komisioni, se nuk kam pse ta fsheh. Ajo është me dokumente. Por pjesëmarrja ime, e theksoj, nuk ka qenë për akte kryesore, siç janë aktet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Nuk kam pasur të drejtën e arrestit, nuk kam pasur të drejtën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe të kërkesës për fajësi apo kërkese dënimi", tha Muçmata. Ai u pyet nga deputeti Alibeaj për dy raste konkrete në lidhje me punën e tij, por Muçmata u përgjigj duke thënë se "në dijeni time, nuk e njoh këtë rast dhe nuk bëhet fjalë që të jetë vepruar kështu ndaj tij. Duhet parë konkretisht kjo çështje, nëse kam qenë unë aty ose jo". Kandidati shtoi se është i hapur ndaj çdo verifikimi që mund ti bëhet figurës së tij.

Pyetje-përgjigjet në Komision

Enkelejd Alibeaj: Do të doja një shpjegim për listën e gjatë që ILDKP ka sjellë?
Vexhi Muçmata: Përsa i takon listës së gjatë të pasurive që bëhet fjalë, mendoj se ILDK nuk ka pasqyruar në mënyrën të plotë dhe të detajuar pasuritë e deklaruara. Unë deklaroj para këtij komisioni se kam në pasuri timen vetëm apartamentin e banimit, të cilin e kam blerë me një kredi nga Qeveria shqiptare, ishte një kredi që miratohej nga Kryeministri në atë kohë, kam një tokë prej 50 m katrorë, kam edhe një makinë. Ndërsa gjithë të tjerat që bëhet fjalë, bëhet fjalë për kontrata sipërmarrjeje. Nuk janë siguruar burimet e financimit. Bëhet fjalë nuk janë sqaruar detyrimet që kam unë ndaj bankave dhe personave të tretë, prandaj nuk jam pronar në asnjë nga këto pasuri.
Enkelejd Alibeaj: A mund të na e sqarosh?
Vexhi Muçmata: Po do t'i sqaroj, pa asnjë diskutim. Mua në muajin shkurt të vitit 20010 më ka rënë shorti për kontrollin e pasurisë dhe më është bërë kontrolli për gjithë periudhën nga viti 2002 deri në 2009 dhe kam rezultuar në rregull me gjithë dokumentacionin, burimet financiare me detyrimet që kam me gjithçka. Institucioni përkatës mendoj se nuk duhet të ngrejë hipoteza, të bëjë punën e vet dhe t'u sqarojë juve dhe opinionin se nuk kam asnjë lloj transaksioni të vënë në mënyrë të paligjshme.
Eduard Halimi: Në përgjigjet me shkrim jeni përgjigjur pak a shumë se ju nuk mbani mend, nëse keni hetuar çështje të një natyre politike...
Vexhi Muçmata: Për shkak të kohës se gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike, që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Nëse do të më kujtohej ndonjë, do ta thosha para këtij komisioni, se nuk kam pse ta fsheh. Ajo është me dokumente. Por pjesëmarrja ime, e theksoj, nuk ka qenë për akte kryesore, siç janë aktet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Nuk kam pasur të drejtën e arrestit, nuk kam pasur të drejtën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe të kërkesës për fajësi apo kërkese dënimi.
Pandeli Majko: Ua kam bërë këtë pyetje të gjithë kandidatëve. A keni qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?
Vexhi Muçmata: Nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Arenca Trashani: A keni qenë ndonjëherë anëtar i ndonjë partie politike?
Vexhi Muçmata: Kam qenë dy vitet e fundit të diktaturës '88 dhe '89 anëtar partie, në kohën kur po ndryshonte sistemi.
Enkelejd Alibeaj: Dua të sjell dy raste që mund t'ju kujtohen. U zbuluan se bëhej fjalë se në vitin 1986 kishte bërë bujë kjo ngjarje dhe ata në vitin 1986 u arrestuan, u hetuan dhe përfundimisht fundi i tyre ishte nën dhe, dini ju gjë për këtë histori?. Dhe pyetja ime e dytë ka të bëjë me diçka tjetër. Familja Kekezi ka një problem me shoqërinë Kastrati, pretendojnë pronësinë e një karburanti në Tiranë. Në një ditë të bukur njëri prej pinjollëve të familjes Kekezi, e gjen veten të arrestuar nga Prokuroria e Tiranës. Prokurori ishit ju, pretendon ai. A mund të më sqaroni pozicionin tuaj për të dyja rastet?
Vexhi Muçmata: Përsa i përket ngjarjes së vitit 1986, unë nuk kam lidhje. Ka pasur një grup pune dhe mund të shikoni dosjet që unë skam pasur lidhje. Për sa i takon pyetjes së dytë unë nuk e njoh fare si rast. Në dijeni time, nuk e njoh këtë rast dhe nuk bëhet fjalë që të jetë vepruar kështu ndaj tij. Duhet parë konkretisht kjo çështje, nëse kam qenë unë aty ose jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›