E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, derdhen depozitat e solarit në bregdet, pushuesit në rrezik



Derdhja e një sasie të konsiderueshme solari rrezikon ndotjen e plazhit të vjetër në Vlorë. Gjatë shkarkimit të boteve me hidrokarbure, dhe tentativave për depozitim të tyre, një defekt, ende i papërcaktuar në tubo, apo në depozita, ka bërë që e gjithë masa e solarit, e cila hamendësohet të jetë 20 -30 tonë, është derdhur mbi rërë në plazhin e vjetër. Rreziku i depërtimit të saj në ujërat e detit sa vjen e bëhet më i madh, ndërkohë që punëtorët e firmës që po kryente transportin e solarit, janë përpjekur të ndalojnë depërtimin në det, duke ngritur masive me rërë. Sipas banorëve të zonës, depozita është çarë në orët e mbrëmjes, ndërkohë që për orë të tëra është derdhur sasi solari, duke arritur deri në bregdet. Zona ku ka ndodhur rrjedhja është një pikë që nuk frekuentohet shumë prej pushuesve, për shkak se është shumë pranë me portin e Vlorës. Të shqetësuar nga kjo katastrofë mjedisore, banorët e plazhit të Vjetër u shprehën se "kemi qëndruar gjatë gjithë natës zgjuar, për shkak të kësaj sasie të konsiderueshme solari të papërpunuar. Rreziku i ndotjes së plazhit ka qenë dhe për ne. Gjatë gjithë natës kemi lënë çezmat hapur, që masa e solarit të ngurtësohej dhe të mos na futej brenda në banesat tona", u shprehën banorët. Solari i papërpunuar që ra në kontakt me ujin e detit u ngurtësua menjëherë, ndërsa ai që u derdh në tokë vijon të qëndrojë i nxehtë, në gjendje akoma të lëngshme. Kreu i Agjencisë së Mjedisit në Vlorë, Niko Dumani, konfirmoi se po merren masat administrative për penalizimin me gjobë të shoqërisë që kreu ndotjen, që shkojnë deri në 1 milion lekë. Sipas tij, në Vlorë është mjaft problematike mungesa e përgjegjësisë së biznesit për çështjet ambientale. Sipas Dumanit, sasia e hedhur në breg të detit është hidrokarbur, tip solari i pastër dhe i papërpunuar. Depozitat e vjetra, të cilat mbledhin këtë hidrokarbur, janë private dhe të licencuara nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit. Aktualisht bregu pranë kalatës zero në portin e Vlorës, është i mbushur me masa të solarit të papërpunuar, e cila është një rrezik për pushuesit si dhe për mjedisin. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›