Meta: Reforma Zgjedhore, kryeprioritet
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje kryesinë, ku diskutoi situatën politike e në veçanti për reformën zgjedhore, si dhe për riorganizimin e LSI-së për zgjedhjet vendore. Kreu i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi reformën zgjedhore si prioritet dhe kërkoi reflektim nga ana e opozitës për ndryshimet ligjore. "Për LSI-në ky ka qenë një prioritet i jashtëzakonshëm dhe mbetet i tillë prej kohësh. Ne shpresojmë që të gjithë ata që e kanë vërtet të sinqertë kërkesën për transparencë, të bashkohen në përpjekjet tona për ta reformuar më tej sistemin zgjedhor. Sepse ne e kemi shprehur prej kohësh, që pavarësisht nga vlerësimi i lartë që u bëri komuniteti ndërkombëtar zgjedhjeve të shkuara, përsëri ato kishin problemet e tyre, ashtu si dhe vetë kodi konsensual PS-PD, nuk ishin perfekte", deklaroi Meta. Sipas kreut të LSI-së, koalicioni me PD-në ka qenë i suksesshëm, ndërsa falënderoi të gjithë mbështetësit që mirëkuptuan këtë koalicion në krijimin e tij 1 vit më parë.