E Diel, 1 Nëntor 2026

Schulz: Kriza vazhdon, përsëri shpresojmë për një marrëveshje



Kryetari i Grupit Parlamentar Social-Demokrat në Parlamentin Europian, Martin Schulz shprehet se kriza politike në Shqipëri ekziston ende, ndërsa palët po përpiqen që të arrihet një marrëveshje. Schulz, një nga organizatorët e takimit Berisha-Rama në Strasburg, shprehet ndryshe nga kolegu i tij, Joseph Daul, i cili në vizitën e tij në Tiranë pak ditë më parë deklaroi se nuk ka vend për krizë politike, kur opozita është tashmë në Kuvend. Në një konferencë për shtyp, Schulz tha se po punohet ende për të arritur një marrëveshje. "Për momentin jemi ende duke diskutuar. Ndaj preferoj mos të bëj vërejtje për këtë apo atë, sepse siç e dini, të gjitha këto negociata janë gjithmonë të ndjeshme e duhen respektuar interesat e të gjitha partive respektove, të cilat janë shumë heterogjene. Ndaj ju lutem pranoni përgjigjen time që do ta limitoja në: Po, ne vazhdojmë dhe shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje", deklaroi Schulz. Më tej në këtë konferencë, numri një i të majtëve në Parlamentin Europian shtoi se BE ka kuptuar që në Shqipëri duhet të ketë një vijim të dialogut për të gjetur një zgjidhje. Madje ai shtoi se politikanët perëndimorë po mundohet me mjete modeste që të arrijë sukses, duke gjetur një marrëveshje mes liderëve shqiptarë Berisha e Rama. "Për Shqipërinë, vërejta që në konkluzionet e Këshillit Europian të Ministrave të Jashtëm, gjatë takimit që u mbajt në Luksemburg, u përmend iniciativa e Parlamentit duke ju referuar angazhimit të z.Daul dhe timin. Unë dhe komisioneri Fyle e kuptuam këtë si inkurajim për të vijuar dialogun me opozitën e qeverinë atje, derisa të arrihet një moment i pajtimit të brendshëm në vend. Dhe kjo është ajo që ne po mundohemi të bëjmë me mjete modeste, këtu në Parlament e shpresojmë t'ia arrijmë", tha më tej Schulz. Më 19 maj, Daul dhe Schulz nisen iniciativën e përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje mes forcave kryesore politike në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›