Burrel, përurohet godina Konvikte për të gjithë
Burrel- Në Burrel u inaugurua sot vepra e parë e projektit të arsimit, “Konvikte për të gjithë”. Konvikti do të presë nxënësit e shkollës së mesme “28 nëntori” dhe shkollës pedagogjike në këtë qytet.
Konviktit ekzistues të këtyre shkollave, për shkak të rritjes së numrit të nxënësve, iu bë një shtesë me kapacitet 100 nxënës dhe vlerë 380 mijë euro nga buxheti i shtetit, granti konkurrues. Tanimë konvikti do të jetë i pajisur me sistem ngrohjeje, mobilje të reja dhe do të strehojë më shumë se 200 nxënës, banorë të rrethinave dhe fshatrave të Burrelit.
Ministri i Arsimit Pollo gjatë fjalës së tij tha ndër të tjera se “Ky është konvikti i parë që përfundon dhe realizimi i parë, i një plani madhor të MASH, “Konvikte për të gjithë”, për të ndërtuar konvikte në disa qendra urbane.
Sipas tij, kjo bëhet me qëllimin e qartë, që arsimi i mesëm i përgjithshëm apo profesional, pra në gjimnaz apo në teknikume, të kryhet në zona urbane.
Në partneritet me bashkinë e Burrelit dhe kompaninë ndërtuese, përfundoi konvikti i parë i këtij plani dhe në shtator të këtij viti këtu do të strehohen nxënëset dhe nxënësit e gjithë komunave të Matit, për të ndjekurarsimin e mesëm.
Për vitet 2007-2008 është parashikuar që të kryhen investime për ndërtimin e 11 konvikteve, 7 konvikteve të rinj në Tropojë, Krujë, Shkodër, Dibër, Durrës, Kukës, Sarandë, si dhe shtesë të konvikteve në Tiranë, Burrel, Golem e Pukë me një vlerë në total prej 4 milionë Eurosh të buxhetit të shtetit.
Krahas investimeve në godina të reja janë planifikuar fonde edhe për pajisje e orendi për konviktet.
Në sistemin e arsimit të mesëm aktualisht funksionojnë gjithsej 42 konvikte me rreth 6.800 fëmijë. (do të shtohen edhe 7 konvikte të rinj).
Këto 3 vitet e fundit në buxhetin e investimeve i është kushtuar një rëndësi e veçantë investimeve në konvikte.
Sot rreth 70% e konvikteve janë të rehabilituara dhe rreth 40% e tyre janë me sistem ngrohje.