E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke: Emigrantët, jo vetëm nga Kakavija

Kakavijë- “Emigrantët shqiptarë të mos përdorin si portë hyrëse për në Shqipëri, vetëm doganën e kakavijë, por të shfrytëzojnë edhe Tri Urat në Përmet”. Ky ka qenë propozimi i policisë greke, në takimin e zhvilluar me homologët shqiptarë për përballimin e fluksit të emigrantëve dhe të operacioneve të përbashkëta antitrfaik gjatë këtyre ditëve.

“Në pikat doganore dhe kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë po bëhen të gjitha përpjekjet dhe po merren të gjitha masat që lëvizja e emigrantëve të jetë me sa më pak probleme”, ka pohuar drejtuesi i policisë greke të Epirit, Paleopanos.

Sipas tij nga 1 gusht 2008 deri në fund të pushimeve nga ana e policisë greke do të merren masa shumë më të mëdha, shumë më drastike duke marrë parasysh që infrastruktura e kalimit midis dy vendeve është kjo, do të bëhen përpjekje që në sportelet e hyrjeve dhe daljeve oraret e pritjes të ulen në mënyrë sa më të ndjeshme.

Në këtë drejtim ai ka kërkuar “mirëkuptimin nga ana e qytetarëve në vendet e kalimit, që pak kohë nevojitet edhe për kontrollin e tyre, për këtë pritje të vogël duhet të jenë të mirëkuptueshëm me kontrollet tona”.

“Kam një propozim, ka vijuar Paleopanos, për sa e dinë që kjo periudhë është e rënduar dhe do të na vijnë shumë qytetarë për të kaluar në këto pika, le të zgjedhin edhe pikat e tjera kufitare si ajo e Tri Urave (Përmet), Qafë Botës (Sarandë), si për hyrjen në Shqipëri ashtu edhe për kthimin në Greqi”- ka thënë ai.

Ndërkohë në lidhje me marrjen e masave për fluksin e emigrantëve në kufi drejtori Rajonal i Policisë Kufitare, Vasil Valera , ka theksuar masa të mëtejshme për pritjen e emigrantëve dhe shmangien e problemeve.

“Dëshiroj që ato që përcaktuam në këtë takim të realizohen me qëllim që të jemi sa më pranë qytetarëve, me qëllim që të mos kemi vonesa në pikat e kalimit kufitar si në Kakavije ashtu edhe në stacionet e tjera të policisë, kështu që ne të gjithë përsëri jemi në gadishmëri dhe bashkarisht do ti përballojmë të gjitha situatat që do të na vijnë në të ardhmen”, është shprehur Valera.

Ky takim u zhvillua pas takimeve që ka pasur përpara disa javësh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi me homologët e tij grekë. Krahas Drejtorit Rajonal të Kufirit, Vasil Valera dhe drejtuesit të policisë së Epirit (Greqi), Athanasios Paleopanos, të pranishëm në takimin e zhvilluar në mjediset e doganës greke të Kakavijes, kanë qenë edhe drejtues të efektivave të policisë së Kakavijes në të dyja anët e kufirit, dy doganave respektive etj.

Fillimisht drejtuesit e policisë kufitare të Gjirokastrës dhe Epirit kanë zhvilluar një analizë të operacioneve të përbashkëta policore të realizuara gjatë ditëve të fundit përgjatë vijës së gjelbërt të kufirit, mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë,me qëllim goditje e rrjeteve të trafiqeve të paligjshme. Të dyja palët i kanë gjykuar këto operacione të suksesshme.

Në bazë të udhëzimeve vijojnë operacione të përbashkëta midis dy policive në një hark tre ditor apo dy herë në muaj, në bashkëpunim gjithmonë të ngushtë me policinë shqiptare, në data jo fikse dhe në orë të ndryshme, ku vendimet për këto operacione mbahen sekret siç ishte ky i fundit në periudhën 16-19 korrik 2008.

Në lidhje me rezultatet e operacionit të fundit antitrafik organizuar nga të dyja policitë, shqiptare dhe greke, Paleopanos ka pohuar se “gjatë operacionit të funditnë vende dhe rajone ku edhe policia shqiptare ka marrë masa me efektiva të përforcuar është ulur ndjeshëm hyrja e klandestinëve pranë zonave kufitare ndërsa në zonat ku pala shqiptare për arsye objektive, të mungesës së efektivave nuk ka mundur të marë masa aty u vë re që në tokën greke pati një fluks më të madh të hyrjeve të klandestinëve të cilët u ndaluan nga efektivat e policisë greke më të mëdha në numër dhe me një infrastrukturë teknike më moderne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›