Burrel, pranga 4 personave për trafik armësh
Katër persona janë vënë në pranga ditën e sotme për trafik armësh. Pas një operacioni të koduar të policisë me emrin “Dungu”, u arrestuan Ali Peci e Arben Daka nga Kosova, si dhe Naim Dungu dhe Shaban Sulmeta. Ka qenë më i madh numri i personave të shoqëruar, por akoma policia nuk ka dhënë emrat. Kanë filluar verifikimet për të dy personat kosovarë. Dyshohet që këta persona të kenë kryer edhe transporte të tjera armësh për në vendlindjen e tyre.Policia ka sekuestruar edhe 7000 fishkë të cilat po paketoheshin nga të arrestuarit si dhe kallashnikovë e armë të tjera. Mësohet se Naim Dungu ka qenë edhe një ish-efektiv i policisë së Burrelit. Ndërkohë Sulmeta është magazinier i Repartit të Ushtrisë.Nuk ka kaluar vetëm një muaj nga tragjedia e Gërdecit, ku në një fabrikë demontimi fishekësh e armatimesh, humbën jetën mbi 26 persona, u plagosën shumë të tjerë dhe u shkatërruan qindra shtëpi, ndërkohë që trafiku vazhdon sërish. Plumbat e paketuar dhe armët ishin me destinacion Kosovën.Policia po heton edhe për raste të tjera.