Nuk e vënë ujin në zjarr
Asnjë promovim deri tani për këngën e Olta Bokës që përfaqëson vendin në Beograd. Pritet një tentativë "lobingu" me fqinjët. As shqiptarët e Maqedonisë nuk ia thonë shumë për të shitur më mirë një vlerë që përfaqësohet në nivele kombëtare
Çdo vit premtohet se do jetë më mirë dhe përfundimisht nuk ndryshon asgjë. Një muaj na ndan nga Festivali Evropian i Këngës që mbahet në Beograd, Serbi. Çdo ditë në faqen zyrtare të festivalit dhe të tjera jozyrtare, "besnike" prej vitesh të kësaj ngjarjeje, publikojnë më të rejat mbi edicion e 53-të. Jo thjesht çfarë ndodh në Beograd, përgatitjet, të ftuarit, po çdo lëvizje të këngëtarëve pjesëmarrës, kryesisht për turet nëpër Evropë për promovimin e këngëve. Lajmi i fundit që vjen nga Shqipëria është i datës 17 dhjetor 2007 që përkon me shpalljen e këngës fituese në Festivalin shtetëror shqiptar, që ka edhe të drejtën e përfaqësimit në Eurosong. "Juria shqiptare zgjedh Olta Bokën për në Beograd", - shkruhet. Dhe, nuk ka asgjë të çuditshme në këtë mes, sepse përveçse në Beograd (të kuptohemi në festival, jo për ndonjë tur promovimi), kënga nuk ka shkuar askund tjetër.
Gjimnazistja 16-vjeçare vazhdon përditshmërinë e saj të kahershme, të patrazuar nga ankthet e tureve, koncerteve, promovimeve. Ka një muaj që videoklipi dhe varianti i riorkestruar në Itali, i këngës "Zemrën e lamë peng" me muzikë të Adrian Hilës e tekst të Pandi Laços, po shfaqet në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, me shpresën që përmes satelitit të njihet edhe nga bashkatdhetarët jashtë kufijve. (Për pak harruam që kënga konkurron dhe tek "Netët e Klipit Shqiptar" me regji të Petri Bozos). Pa harruar faqet në internet ku mund të dëgjohet e shihet nga të interesuarit.
Premtimet nga ana e drejtuesve të RTSH-së për "lobingje" të paktën me vendet e rajonit, promovime, e të tjera si këto, deri tani nuk i ka parë askush.
Mësohet se gjatë kësaj kohe që ka mbetur kënga do të promovohet në Mal të Zi e Maqedoni, si edhe në Turqi. Këtyre të fundit do t'iu kthejmë vizitën e para pak ditëve në Tiranë, kur djemtë e grupit turk "Mor ve ötesi" erdhën për t'u prezantuar. Dhe lobingu (edhe ky nëse ndodh) mbyllet këtu, me tri vende, kur dihet se në festival marrin pjesë 43 vende që pavarësisht hyrjes ose jo në finale, votojnë të gjitha. Por tanimë nuk ka më asgjë të re. Kjo është hera e pestë që Shqipëria përfaqësohet në Eurosong dhe përveç herës së parë, ku ca për meritë të politikës së ish-drejtorit Artur Zheji dhe ca për meritë të politikave të vetë organizatorëve të festivalit që mbështesin fillestarët, herët e tjera nuk kemi mundur të dalim në finale. Është i njohur fakti që në këtë festival fitojnë politikat dhe klanet, ato të mëdhatë e të fuqishme. Është e vështirë të përballesh me klanin e ish-republikave të Bashkimit Sovjetik dhe po kështu me atë të vendeve të ulëta, të cilët votojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk do të thotë që të ngremë duart përpjetë e të dorëzohemi. Aq më tepër që këtë vit këndohet në Beograd, pak sensibilizim më serioz, (pa ngjyrime nacionaliste) është i nevojshëm. Sipas gjasave ekzistojnë të gjitha mundësitë të përsëriten rastet paraardhëse. Shqiptarët do presin më kot para ekranit në gjysmëfinalen e 22 majit, me shpresën se mund të hyjmë në finale. E vetmja dritë shprese është mosha e vogël e këngëtares Olta Boka. Nëpër faqet e internetit që ndjekin hap pas hapi festivalin, pavarësisht ku zhvillohet ai, kanë nisur votimet, parashikimet. Madje "juritë" e OGAE (fanklubi më i madh në botë për Festivalin Evropian) e ka dhënë votën e vet. Çdo shtet ku shtrihet ky netëork ka votuar. Momentalisht në krye të listës qëndron Serbia e ndjekur nga Suedia, Zvicra, Armenia e Ukraina. Nëse ky votim shpreh deri-diku mendimin e përgjithshëm që do të reflektohet edhe në votimin përfundimtar, atëherë Shqipëria është e mundur të hyjë në finale, madje rezulton e 12-a në këngët e votuara (kufiri maksimal). Por ky është thjesht një votim jozyrtar, që merret me shumë rezerva.