E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shesësh shpirtin në e-bay

 

Regjisorja zvicerane Dominique De Rivaz, rrëfen ankthet e rinisë së papunë dhe të pashpresë në vendin e saj. Në pritje të përzgjedhjes në festivalin e kanës, "Luft business" pati premierë botërore në Akademinë "Marubi"

Duke kërkuar që ta fitojnë kollaj paranë, tre të rinj të papunë shesin veten në internet. Njëri shet të kaluarën, tjetri shet të ardhmen, ndërsa i treti shet shpirtin. Ajo që nis si lojë në blerjet globale e-bay, u kthehet në makth djemve kur zbulojnë se në të vërtetë kanë shitur ekzistencën e tyre dhe ja që nuk ka shpërblim. Regjisorja zvicerane Dominique de Rivaz, e cila është duke pritur me emocion rezultatet e selektimit të filmit në fjalë "Jetë në ankand" ("Luftbusiness" – Zvicër/Luksemburg, 2008) për në Festivalin e Kanës, prezantoi në Tiranë një vepër etydi modern dhe faustian. Nuk është vetëm historia e tillë, por është aktori protagonist, Filu (Tomas Lemarquis) një aktor i ri finlandez i krijuar si personazh dhe si "stil krehje" si në miniaturat mesjetare të alkimistëve, është drama e thellë e të rinjve që përjetojnë në një formë të re dhe të pamëshirshme problemet e vjetra sociale të papunësisë dhe të humbjes së identitetit në lëmshin e qytetit dhe të epokës së tij posteknologjike. "Jetë në ankand" pati premierë ndërkombëtare në Tiranë në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi".

E lindur më 1953 Dominique de Rivaz u diplomua për arte në Universitetin e Friburgut për letërsi, histori dhe filologji. Më 2004 ka fituar Çmimin Zviceran për Filmin fiction më të mirë "Emri im është Bah". Jeton dhe punon ndërmjet Bernës dhe Berlinit.

Si u bëtë regjisore?

Është një histori e gjatë, por kur isha studente në Universitetin e Friburgut ku studioja histori, mora pjesë në konkursin e quajtur "The race around the world", organizuar nga televizionet frankofone kanadeze, belge, franceze dhe zvicerane. Dy vetëve nga secili vend u jepej mundësia të udhëtonin vetëm nëpër botë me një kamera për gati 4 muaj. Bëhet fjalë për vitin 1978-79. Isha 25 vjeç. Ky ishte kontakti im i parë i plotë me kinemanë, sepse çdo javë duhej të bëja nga një dokumentar në Tajvan, Marok, dhe kudo tjetër, ta dërgoja në televizion dhe çdo të shtunë mbrëma, filmat e tetë kandidatëve shfaqeshin në TV. Pra u bëmë të njohur në vendet ku transmetoheshin punët tona. Kjo përvojë më ndryshoi jetën, sepse si studente e historisë unë kisha për t'u bërë mësuese.

Me çfarë sfidash duhej të përballeshit si regjisore grua?

Oh, si grua, nuk ka ndryshime kush e di se çfarë, megjithatë ekziston një. Duke iu hedhur një sy veprave filmike të realizuara nga regjisorë amerikanë si Tarantino e Spilberg, kam pyetur veten përse nuk i kanë bërë gratë këto filma. Mendimi im personal, nuk e di nëse është i drejtë apo i gabuar, është që nëpërmjet filmave burri në njëfarë mënyre bën një luftë (ndoshta e rëndë kjo që po them). Bërja e një filmi është sipërmarrje kaq e madhe ku ti duhet të jesh njëherësh fëmija dhe luftëtari. Ne femrat nuk i kemi brenda vetes këto dy dimensione. Ne jemi gra, ne mund të bëjmë filma, por fatkeqësisht ose fatmirësisht unë do doja që një ditë të dilte një grua dhe të bënte një nga ato lloj filmash që përmenda.

Në territorin afër jush nuk ka shembuj për t'u marrë në konsideratë, fjala vjen, si Lina Wertmuller?

Nuk i kam parë filmat e saj. Por në Zvicër ne kemi një shembull Zhaklinë Vërv, e para femër që ka bërë filma dokumentarë, filma etnologjikë, në vitet 60. Kanë qenë kohë të vështira sepse gruan në kinema në atë kohë mund ta gjeje vetëm me statusin e sekretares, montazhieres apo asistentes së skenarit, kur ajo duhej të ndryshonte mentalitetin e burrit.

Cila është pjesa më e vështirë: të krijosh tema apo t'i gjesh ato në realitetet njerëzore?

Në fillim ti gjen temat dhe më pas i krijon dhe i zhvillon ato. Me një nga filmat e mi të gjatë "Emri im është Bah", ishte ideja për të futur Bahun plak dhe brezin e ri të Prusisë së bashku dhe kështu që unë kam rishkruar 22 versione skenari.

Idenë e "Luftbusiness"-it e mora në një copë gazete, në "Le Monde" ku lexova për të rinj që shesin veten e tyre në internet, por një film të shkurtër si "Dita e banjës" e kam fantazuar të gjithin. Do doja të krijoja vetë një histori fund e krye për një film të gjatë, dhe për këtë s'duhet të jesh modest. S'është e lehtë të thuash që idetë e mia janë shumë interesante dhe dua t'ia përcjell botës.

Në filmin tuaj që u shfaq në Tiranë pamë që jeni e interesuar për filozofinë. A është një mënyrë e mirë për kinemanë për ta parë botën? Për shembull një nyjë e tillë ishte ajo që krijohej ndërmjet jetës dhe vdekjes.

Unë nuk jam filozofe dhe e kam të vështirë t'iu hyj ideve të abstraguara. Por që të fusësh abstragimin në jetën reale, kjo atëherë është tejet interesante për një kineast: Si ta transformosh abstrakten në figurë. Unë këtë jam përpjekur të bëj me "Luftbusiness".

Ju niseni nga një histori reale për të dalë tek paktet djallëzore të shpirtit një kryetemë mesjetare, një herë e një kohë. Në këtë aspekt na thoni diçka më shumë për "Jetë në ankand".

Historia e njeriut, një studenti amerikan që kishte shitur veten në internet në e-bay më shokoi kur e lexova dhe mendova si mund të ndihet një javë apo disa muaj pasi ta ketë shitur veten ky njeri. Do doja të takoja tani, ta ftoja të ndiqte filmin tim, ndoshta ai nuk ndien asgjë, as që do t'ia dijë, sepse në fund të fundit ç'është shpirti? Ne nuk dimë akoma të japim një përkufizim për të. Kjo është pyetja: Ç'është shpirti.

Po ju keni një përgjigje për këtë?

Jo, unë mund të bëj dhjetë filma të ndryshëm për shpirtin. Askush besoj të ketë një përgjigje për këtë.

Dominik, pra, duhet të shpresojmë që njerëzit do të kenë nerva, do të kthehen të shohin në kinema "dialogët për shpirtin"?

Po, unë mendoj se ka një vend ku mund të flitet për shpirtin, dhe gjithmonë do të ketë një publik që nuk i pëlqen filmat komercialë. Problemi është shpërndarja e filmave të tillë. Kinemaja është nën presionin e distributorëve amerikanë dhe nëse një film për shpirtin nuk fiton spektatorë sa duhet, ai duhet të dalë nga qarkullimi dhe në vend të tij një film tjetër amerikan ka për të ardhur. Bëhen shumë filma të mirë dhe inteligjentë që nuk i gjen nëpër kinema, sepse ka më shumë shkolla në kinema, më shumë kineastë, ka një rritje të lartë sasiore në këtë drejtim. Ju jap shembullin e festivalit të Berlinit i këtij viti ku në tregun e festivalit u paraqitën plot 400 filma.

Aktori kryesor është finlandez, gjuha e filmit gjermanishtja, ndërsa muzika british tre zgjedhje që rrinë shumë mirë me muzikën në veçanti.

Muzika është nga "The tiger lilies". Nëse shkoni në google do të gjeni faqen dhe këngët e tyre. Është një grup underground i tre djemve britanikë, tekstet e të cilëve janë shumë provokative. Martyn Jaques, pranoi të më jepte 12 këngë për filmin.

Një nga gjërat pozitive të filmit është "dialogu për të rinjtë".

Nuk ishte e lehtë për mua. Unë nuk jam më e re, por punova me një skenarist, Antoine Jaccoud, për historinë. Unë jam më romantike, abstrakte dhe më afër poezisë, ndërsa ai është konkret për botën dhe për atë që i shqetëson të rinjtë sot. Pra dy lloj ndjeshmërish prodhuan këto tri jetë të rinjsh. Ajo që në të vërtetë doja të bëja ishte që të tregoja një histori për papunësinë, varfërinë, në një formë poetike. Këto janë tema aktuale për vende të ndryshme dhe shoqëri që protestojnë për ushqimin dhe mjetet minimale të jetesës. Unë parashikoj një revolucion të ri në këtë drejtim i cili sapo ka nisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›