E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtime me Don Kishotin e Mançës

 

Dita Ndërkombëtare e Librit, 23 prill, kremtohet në Spanjë si një traditë e dyfishtë: përkujtimi i përvjetorit të vdekjes të Miguel de Cervantes dhe dita e San Jordit (patron i Katalunjës), një ditë shumë popullore në të cilën tradicionalisht promovohet shkëmbimi i librave dhe trëndafilave. Me këtë rast, nesër, Ambasada e Spanjës në Tiranë, ka programuar një sërë aktivitetesh rreth figurës së Don Kishotit të Mançës

Duke iu referuar traditës spanjolle sipas të cilës që nga viti 1930, realizohet një lexim publik dhe i vazhduar i kryeveprës së Miguel De Cervantes, "Don Kishoti i Mançës", e njëjta gjë do të bëhet edhe në Tiranë. Më 23 prill në orën 10.30 paradite, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës shpallet çmimi Tregimin e Shkurtër me titull "Don Kishoti i Mançës". Po atë ditë, shkrimtari Fatos Kongoli, i cili kohët e fundit ka realizuar një udhëtim në tokën e aventurave të Don Kishotit, do të takohet me studentët dhe në fund do të ketë një lexim publik dhe kolektiv të dy kapitujve të parë të veprës së Cervantesit, nga personalitete të jetës politike, kulturore dhe akademike të Tiranës.

Më 24 prill në orën 19.00, në Hollin e Muzikës së Dhomës të Teatrit të Operës dhe Baletit do të mund të merrni pjesë në koncertin "Kishotë të tjerë", me një program të muzikës spanjolle e cila do të ndërthuret me fragmente të zgjedhura të veprës së Miguel de Cervantes. Interpretojnë Pandush Gjezi (violinë), Francisco José Segovia Catalán (piano) dhe Gëzim Rudi (interpretim).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›