Burrel, probleme në nisjen e vitit të ri shkollor
Procesi mësimor në Rrethin e Matit ka nisur me probleme. Kështu, 400 nxënës të shkollës së mesme të bashkuar në fshatin Suç të Burrelit, nuk kanë mundur ta nisin mësimin si gjithë bashkëmoshatarët e tyre, pasi ambientet ku do të zhvillohet mësimi nuk kanë qenë gati. Punimet e nisura për rikonstruksionin e kësaj shkolle ende nuk kanë përfunduar, ndonëse firma e kontraktuar i ka pasur të gjitha mundësitë dhe kohën e mjaftueshme për përfundimin e tyre. Mësuesit e shkollës hezitojnë të shprehen për këtë problem, por pasi janë paraqitur në shkollë, ata janë kthyer në shtëpi, pa mundur ta nisin mësimin me nxënësit. Oborri i shkollës, i kthyer në shesh ndërtimi, është mbushur me hedhje inerte. Po kështu edhe korridoret janë të mbushura me materiale ndërtimi, ndërkohë që ndërtuesit vazhdojnë vendosjen e pllakave në klasa dhe në të tjera, ku ky proces kishte përfunduar, vijon lyerja me gëlqere. Nuk bëhet e qartë nëse zvarritja e punimeve ka ardhur për shkak të ardhjes me vonesë të fondit të investimit nga MASH-i, apo dështimit disa herë të tenderit. Gjithsesi, cilado qoftë arsyeja, 400 nxënësit që mësojnë në këtë shkollë, tashmë nuk e dinë se kur do të mësojnë ose se kur do të jetë dita e parë e shkollës për ta. Ndërkohë, problemi i zvarritjeve të punimeve për rikonstruksionin e kësaj shkolle nuk është i vetmi, pasi ajo ka mungesa të theksuara edhe të bazës materiale, si tavolina dhe stola, gjë që e bën thuajse të pamundur vijimin normal të mësimit në të. Gjithsesi, edhe pse nxënësit janë lajmëruar që të rrinë në shtëpi edhe një javë, kohë kjo kur mund të përfundojnë punimet dhe shkolla të hapë dyert për ta, askush prej tyre nuk beson në vërtetësinë e këtij lajmërimi.