E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeni i kafshon nënën, 35-vjeçari plagos të zotin

Dy persona të tjerë janë plagosur dje në kryeqytet nga konflikte të ndryshme, ndërkohë që policia, ka identifikuar autorët e dyshuar të tyre. Sipas të dhënave policore, njëra nga plagosjet ka ndodhur në Zall Herr, ndërsa tjetra në një lokal të Tiranës. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se nga specialistët e seksionit të Luftës Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Nuri Dilaver Alushi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Zall Herr. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë, në orët e para të mëngjesit në Zall Herr, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë të llojit thikë, shtetasin Gëzim Muharrem Alushi, 35 vjeç. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të policisë. Në vendin e ngjarjes nga grupi i posaçëm hetimor i formuar u kryen veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika. Sipas të dhënave policore, qeni i të dëmtuarit ka kafshuar nënën e autorit një javë më parë. Nga inati, Alushi ka shkuar dhe ka goditur me thikë Gëzimin, e ka dashur të vrasë edhe qenin. Gjithashtu, nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u realizua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleksandër Zef Toma, 22 vjeç, banues në Paskuqan të Tiranës. Arrestimi i tij u krye sepse gjatë orëve të vona të së dielës, në rrugën "Murat Toptani", në ambientet e lokalit "Guva e Qetë", dyshohet se në bashkëpunim me një bashkëmoshatarin e tij, kanë goditur me thikë 20-vjeçarin Erjon Hasan Valbona (Hysa), me banim në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›