Dezinfektimi në shkolla, sapun mes librave
Fëmijët të mbajnë sapun me vete, t‘i lajnë sa më shpesh duart dhe të kenë sa më shumë kujdes për higjienën personale. Kjo ka qenë edhe qëllimi i vizitës në një nga shkollat e Tiranës të shoqatës "Përgjegjësi të barabarta". Kreu i kuaj shoqata u ka dhuruar fëmijëve të klasave të para nga një sapun, të cilin do ta mbajnë në çantat e tyre së bashku me fletoren. Kjo nismë ka si synim që t‘i sensibilizojë të gjithë prindërit dhe mësuesit për rëndësinë e higjienës në shkolla, si dhe për rreziqet e shumta nga virozat gripale. Dy ditë më parë, me çeljen e shkollave duhet të kishte nisur të realizohej edhe plani i masave për mbrojtjen edhe sensibilizimin e fëmijëve për gripin e derrit. Konkretisht në shkolla ende nuk janë afishuar posterat si dhe shpërndarja e fletëpalosjeve informative. Masat e dhëna nga autoritetet shëndetësore shqiptare janë për higjienizimin e ambienteve shkollore, higjienë vetjake e mbi të gjitha për pastrim intensiv të ambienteve shkollore. Për më shumë, shkollat në kryeqytet mundohen të mbajnë pastërti me fshesa, shtupa e marrje pluhurash. Furnizimi i tyre me ujë është si në të gjitha lagjet e kryeqytetit, me orar, në rastin më të mirë tri herë në vit.