E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët e sivjetshëm, më të zgjuar se të vitit të kaluar

Studentët të cilët do të shkojnë në universitete këtë vit, do të jenë më të përgatitur dhe të një niveli më të lartë se ata të vitit të kaluar. Përfundimi jepet nga Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, bazuar në të dhënat e mbledhura fill pas shpalljes së rezultateve të fituesve të fazës së parë në universitetet në të gjithë vendin. Në këtë raport jepen të detajuara në përqindje të gjithë maturantët që kanë fituar në preferencat e para, të dyta dhe të treta, kuotat e mbetura bosh si pasojë e mosinteresimit nga ana e maturantëve për programet e studimit kryesisht në universitetet e qyteteve si Gjirokastër, Korçë, Vlorë e Shkodër. Pa përfunduar regjistrimi i fazës së parë të fituesve, askush nuk mund të japë me saktësi se sa janë kuotat bosh, por në raportin ku sqarohen 500 kuotat bosh, APRIAL u është referuar kryesisht kuotave të mbetura bosh si pasojë e mosinteresimit për këto programe studimi nga ana e maturantëve.

Raporti APRIAL

Këtë vit universitetet do të kenë prurje më cilësore se sa një vit më parë. Këto të dhëna jepen në raportin e përgatitur nga APRIAL me të dhënat që janë përpunuar në bazë të rezultateve të maturantëve, informacionit të mbledhur në universitete dhe studimit të situatës në vend për sa u takon pranimeve në shkollat e larta. Sipas drejtorit të APRIAL, fituesit e fundit për çdo degë kanë diferencë të madhe pikësh krahasuar me fituesit e fundit në listat e vitit të shkuar. Të dhënat e përpunuara nga agjencia e pranimit të studentëve tregojnë se 43 për qind e maturantëve janë shpallur fitues në preferencën e parë, të dytë dhe të tretë. Nga kjo fazë e parë e shpalljes së fituesve në universitete kanë mbetur 517 kuota bosh. Kërkesat kanë munguar për programe studimi në Universitetin e Gjirokastrës, Vlorës, Korçës dhe Shkodrës. Sipas të dhënave, një pjesë e nxënësve që e kanë pasur 9 mesataren e notave të katër viteve, kanë qenë fitues në degët e Fakultetit të Mjekësisë.

Regjistrimet

Katër ditë pas hapjes së regjistrimeve në sekretaritë pranë fakulteteve në të gjithë vendin, fluksi i maturantëve që kanë fituar të drejtën e studimit është tepër i ulët. Për këtë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë një apel të dytë për sa u takon regjistrimeve. Datat e dorëzimit të dokumentacioneve pranë sekretarive nuk duhet të jenë afatet e fundit, duke krijuar kaos, stres dhe konfuzion. Afati i fundit është data 20 shtator dhe shpallja e fituesve të fazës së dytë do të jetë më 25 shtator. Nëse maturantët nuk do të regjistrohen fillimisht në degët ku kanë fituar, sipas APRIAL do të humbasin të drejtën për të përfituar nga listat e spostimit në degët e tyre të klasifikuara si më të preferuarat se ato që kanë fituar në fazën e parë të shpalljes së rezultateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›