E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekrutimi i ushtarëve, edhe forca nuk bën punë në Durrës

Të rinjtë në Qarkun e Durrësit po i shmangen gjithnjë e më shumë shërbimit ushtarak. Madje asnjë prej të njoftuarve gjatë fazës së porsa mbyllur të rekrutimit nuk është paraqitur për komisionin pranë Qendrës së Rekrutim Mobilizimit Durrës. Nga 2500 fletë-thirrje të shpërndara nëpër shtëpitë e të rinjve në moshë për rekrutë në rang qarku, asnjë nuk është paraqitur për t‘u mobilizuar nën armë dhe as për të shpjeguar arsyet e refuzimit. Kjo i ka detyruar drejtuesit e Qendrës së Mobilizimit në Durrës të urdhërojë rekrutimin me forcë të të rinjve gjatë ditëve të fundit. Vetëm ditën e diel janë ndaluar forcërisht 10 të rinj, por janë dërguar në repart vetëm 2 prej tyre, pasi të tjerët përjashtoheshin nga rekrutimi. Në tërësi, për Durrësin kjo ka qenë një fazë e dështuar. Edhe pse janë marrë me forcë, pas verifikimeve vetëm pak prej tyre janë dërguar në qendrën stërvitore të Tiranës, apo asaj të Vlorës. Plani është realizuar në masën 20 për qind për këtë fazë dhe të gjithë të rinjtë që janë dërguar nën armë janë rekrutuar me forcë. Ndryshe nga pretendimet e shumë familjarëve për shkelje të të drejtave dhe marrjen e studentëve që përjashtohen nga shërbimi ushtarak, në Qendrën e Mobilizimit thuhet se rekrutimi me forcë mbështetet në ligj për aq kohë sa shërbimi ushtarak është i detyruar dhe asnjë nga të rinjtë nuk i përgjigjet thirrjes së bërë paraprakisht. Në të gjitha rastet, punonjësit e degës kanë marrë firmën nga familjarët për fletë-thirrjen e shpërndarë nëpër shtëpi. Të rinjtë i shmangen detyrimit me indiferentizëm, por edhe përmes paraqitjes së dokumenteve që vërtetojnë se janë studentë, ose se kanë familjarë të paaftë në ngarkim. Kjo e ka detyruar qendrën që të bashkëpunojë me universitetet dhe të marrë listat e studentëve, ndërsa për ata që kanë aplikuar këtë vit dhe presin të regjistrohen, duhet që të paraqesin dokumentin pas regjistrimit. Në shumë raste vërtetimet nga fakultetet kanë qenë false. Ndërkohë, njësitë e pushtetit vendor që duhet të bëjë njoftimet, shpesh bëhet palë, duke deklaruar se emrat e thirrur nën armë nuk gjenden në adresën e dhënë, apo janë larguar jashtë vendit. Ky bashkëpunim "i prishur" ka bërë që punonjësit e Qendrës së Rekrutim Mobilizimit të angazhohen vetë për të bërë shpërndarjen e fletë-thirrjeve dhe për të marrë firmat për njoftimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›