Gjuhët e huaja, pedagogët 8 orë me detyrim ne fakultet
zirina llambro
Tetë orë me detyrim në ambientet e fakultetit. Kanë apo nuk kanë mësim. Duhet të firmosin për prezencën në orën 9 të mëngjesit, e pastaj sërish kur largohen. Ky është rregulli i fundit që duhet të zbatojnë të gjithë pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Fillimisht urdhri u përfol se ishte dhënë nga Ministria e Arsimit. Por kjo e fundit nuk ka të bëjë fare, madje as Rektorati. Pas interesimit dje nga institucionet përkatëse, na u bë me dije se nuk ishin aspak në dijeni të kësaj çështje. Urdhri është dhënë nga Dekanati. E ndërsa krerët e fakultetit kanë të drejtë të bëjnë këtë gjë, nga radhët e pedagogëve kanë nisur reagimet e para. Ndonëse nuk duan të dalin me emra, ata e cilësojnë tërësisht të papërshtatshëm këtë rregull. Madje nënvleftësim për pedagogët. “Nuk mundet t’i kërkohet prezenca një pedagogu dhe të detyrohet të qëndrojë në fakultet, edhe kur nuk ka orë mësimore për të dhënë, aq më shumë që mungojnë dhe ambientet”, shprehen burime nga stafi i pedagogëve. Ata theksojnë madje se mungojnë dhe ambientet ku mund të akomodohen për orët që kanë të lira. “Një pedagog nuk ka detyrë thjesht të japë leksionet, ka punë kërkimore, punë shkencore, nuk ka sesi t’i vihet rregull që të rrijë patjetër në fakultet, edhe kur atë ditë ka vetëm 1 orë leksion”, shprehen pedagogët. Një pjesë e tyre madje janë ankuar edhe në Dekanat, por nuk kanë marrë përgjigje. Ndërkaq burime pranë Dekanatit pohuan se urdhri është lëshuar pasi një pjesë e pedagogëve kryejnë edhe punë të tjera private. Argument ky i papranueshëm për stafin akademik, sipas së cilëve për aq kohë sa shlyejnë detyrimet në auditorë, nuk ka asnjë motiv pse të pengohen. Sakaq një lajm i mirë vjen për të gjithë komunitetin universitar. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për pagesat sipas ngarkesës mësimore pritet që të pësojë disa ndryshime. Udhëzimi, i cili parashikonte trajtimin njëlloj për pedagogët, u kundërshtuar me forcë nga Universiteti i Tiranës. Burime nga Rektorati pohuan për gazetën se pas negociatave me Ministrinë e Arsimit pritet të dalë një tjetër udhëzim, sipas së cilit, do të bëhet diferencimi në pagesa i stafit. “MASH ka shprehur vullnetin që të bëjë ndërhyrjet e duhura”, sqaruan burimet. Me këto ndryshime pritet që pedagogët të kenë një motivim më të mirë profesional.