E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Gripi i derrit nën kontroll

 

Gripi i derrave në vendin tonë nuk po përparon kërcënueshëm. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi dje se situata është normale dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme. “Situata po ndiqet hap pas hapi, Shqipëria nuk ka zhvillime, as të rëndësishme, as të parëndësishme, ka një zhvillim normal. Nuk kemi raste të reja të gripit të derrit. Kemi një situatë nga më të mirat në rajon”, deklaroi Vasili. Ministri i Shëndetësisë bëri  me dije se brenda pak ditësh do të bëhet ekzaminimi i rasteve të dyshuara në laboratorin që do të ngrihet në vend, ndërsa theksoi se nga muaji dhjetor do të nisë vaksinimi i grupeve më të rrezikuara. “Brenda pak ditësh ne do të kemi laboratorin tonë të ekzaminimit, ashtu sikurse kishim premtuar dhe njëkohësisht brenda muajit dhjetor do të fillojmë dhe vaksinimin e grupeve të rriskut”, tha Vasili. Vaksina e gripit të derrave ka rreth një muaj që ka nisur të aplikohet në vendet e tjera të Evropës. Për kategoritë në rrisk, ajo është falas. Mjekët specialistë theksojnë se muajt tetor-nëntor janë më të përshtatshmit për të kryer qoftë vaksinën e gripit të zakonshëm, qoftë atë të gripit të derrave. Aktualisht në vendin tonë raportohen 34 të prekur nga virusi AH1N1. Por që prej gati një muaji nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, nuk është bërë asnjë raport i ri për këtë sëmundje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›