Shtegu mbi tunelin e Thirrës, kurth shoferëve gjatë natës
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Nisen për t’i rënë për shkurt, por iu del shumë më gjatë. Kjo ka ndodhur mbrëmjen e së dielës për shoferët që janë nisur nga Kosova apo Kukësi me destinacion Tiranën. Në tentativë për t’i shpëtuar rrugës nga Puka që zgjat rreth tetë orë, ata kanë zgjedhur t’i bien nga Thirra duke kaluar mbi tunelin e Kalimashit. Por rruga tepër e keqe, në disa vende njëkalimëshe, tepër e pjerrët dhe gjithë baltë ka bërë që makinat të ngecen në vend gjatë gjithë natës. Shoferët e Kukësit pasi nuk kanë mundur të manovrojnë të vetëm, kanë njoftuar të afërmit e tyre të cilët janë munduar gjatë gjithë natës që t’i ndihmojnë duke i tërhequr me mjete më të rënda. Tashmë rruga drejt Tiranës është kthyer në makth jo vetëm për drejtuesit e mjeteve por edhe për pasagjerët. Këta të fundit duke dashur të evitojnë rrugën e gjatë, mundohen të gjejnë kryesisht fuoristrada, të cilat janë kthyer në taksi ditët e fundit, në mënyrë që gjithë udhëtimi i tyre për në kryeqytet të zgjasë 2 orë e gjysmë. Afrimi i dimrit në këtë shteg që është mbi 1500 m mbi nivelin e detit e ka bërë të pamundur kalimin në të. Akoma më e pamundur do të bëhet kur të bllokohet nga dëbora. Shumë prej shoferëve që mbetën mbrëmjen e së dielës në by pass-in e Kalimashit pohuan se në tentativë për të kaluar u kishin rënë edhe gomat nga traseja e prishur e këtij shtegu që është rreth 10 kilometra i gjatë. Me mbylljen e tunelit një muaj më parë, ky shteg është kthyer në “urën lidhëse” të Kosovës me Shqipërinë. Një nga shoferët që bën tani rrugën sipër tunelit me pasagjerë u shpreh se: “Firma ndërtuese dhe qeveria duhet të kishin ndërtuar më mirë shtegun mbi tunel me dy kalime dhe me asfalt dhe pastaj të mbyllej tuneli”. Shoferët dhe pasagjerët kërkojnë që tuneli të hapet të paktën për festat e vitit të ri. Për periudhën e dimrit, duket se udhëtarëve do t’u duhet sërish të ngjiten nga maja e Malit, ndonëse ky aks është tepër i rrezikshëm dhe shpesh bllokohet nga dëbora.