Meta:Turizmi prioritet i qeverisë
Çelet viti i ri akademik në Universitetin Evropian të Turizmit (EUFT). Në ceremoninë e mbajtur morën pjesë drejtues dhe autoritete të larta të shtetit. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, duke folur në këtë ceremoni, tha se turizmi është një prioritet shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare. Ai theksoi se të gjithë duhet të ndihemi krenarë për faktin se Universiteti Evropian për Turizmin është ndoshta i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, që ka si fokus ekskluziv të studimeve fushën e Turizmit. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i vuri theksin lajmit se EUFT do të jetë një nga partnerët më kryesorë të ministrisë për çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Dhori Kule, e konsideroi si të rëndësishme mbështetjen e qeverisë shqiptare për arsimimin e të rinjve dhe të rejave dhe shprehu vlerësimin për faktin se EUFT po kontribuon në këtë drejtim, duke u fokusuar në turizëm, si sektori më i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.