Patozi: PS po sillet si kalamajtë
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi e cilësoi jo të drejtë qëndrimin e PS-së, edhe pse e çuditshme. "Kjo është një protestë që drejtohet në boshllëk, pasi nuk i drejtohet maxhorancës, pasi kemi votuar bashkarisht Kodin Elektoral. Kemi pasur në një farë mënyrë qëndrime të përbashkëta për dekretin e Topit. E kemi gjykuar si të gabuar, i cili nuk duhej të ndodhte, si dhe një lëvizje e paqëlluar apo e nxitueshme e Presidentit të Republikës", theksoi Patozi. Sipas tij është ngritur grupi i ekspertëve PS-PD për shqyrtimin e dekretit. "Unë nuk e kuptoj se kujt i drejtohet protesta e PS-së, pasi ajo nuk ka lidhje me maxhorancën, më ngjason me protestën e fëmijëve të vegjël, kur mërziten me prindërit bëjnë greva urie apo refuzojnë të hanë ushqimin", theksoi Patozi.