Mocioni ndaj kryeministrit, Venecia “rrëzon” Kushtetutën
ADI SHKEMBI
Komisioni i Venecias "rrëzon" amendimet kushtetuese të miratuara më 21 prill, për sa i përket mocionit të besimit të Kryeministrit dhe kufizimit të mandatit për Prokurorin e Përgjithshëm. Në një material prej 10 faqesh të këtij institucioni, mbështetet Parlamenti për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor. Në përgjigjen e tre ditëve më parë, për sa i përket mocionit të besimit të kryeministrit, Komisioni i Venecias vlerëson se pas miratimit të këtij ndryshimi, forcohen pozitat e kryeministrit, megjithëse kjo justifikohet me faktin se rrit stabilitetin politik në vend. "Amendamenti e bën opozitën më të etur për të prezantuar mocionin e mosbesimit dhe deputetët që mbështesin qeverinë bëhen më të nënshtruar ndaj favoreve të qeverisë. Ndërsa amendamenti mund të justifikohet me idenë se është në favor të stabilitetit, pasi siguron një stimul ndaj Kryeministrit, të mbështesë mocionin e besimit në Këshillin e Ministrave, është gjithashtu e qartë se pozicioni i Kryeministrit forcohet së tepërmi". Sipas komisionit, zgjidhja që ishte në kushtetutën e kaluar dukej më e balancuar dhe i jepte Presidentit mundësi të vendoste për zgjedhje të reja ose ndryshimin e Qeverisë. Në të njëjtën kohë Komisioni i Venecias del kundër ndryshimit të nenit 149 të Kushtetutës dhe që ka të bëjë pikërisht me kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. "Ndryshimet kushtetuese sigurojnë që Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me propozim të Kuvendit për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Amendamenti duket një hap mbrapa dhe rrezikon komprometimin e paanësinë se Prokurorit të Përgjithshëm, veçanërisht gjatë kohës kur ai kërkon të rizgjidhet", thuhet në përgjigjen e Komisionit. Por ky institucion vlerëson ndryshimet kushtetuese në sistemin zgjedhor. Sipas tij "Rezultatet e kësaj zgjedhje varen nga shtrirja dhe numri i zonave të reja elektorale. Sa më të vogla të jenë këto zona, aq më e vështirë do të jetë për partitë e vogla për vendet në parlament. Gjithsesi synimi i parlamentit shqiptar duket të jetë përdorimi i 12 zonave zgjedhore, por nuk ka garanci kushtetuese që numri i këtyre zonave të mos zvogëlohet në të ardhmen". Në fund, në konkluzionet për ndryshimet e 21 prillit, komisioni vlerëson se "Amendamentet kushtetuese të miratuara në prill 2008 janë përgjithësisht në një linjë me standardet evropiane. Shumica e amendamenteve përbëjnë përmirësime dhe sqarime të tekstit aktual të kushtetutës. Ky vlerësim përjashton amendamentet e nenit 104 për mocionin e besimit, si dhe nenin 149 për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Këto amendamente shfaqin një hap keqardhës mbrapa dhe i bëjnë këto institucione më pak të pavarura. Amendimet e kushtetutës për sistemin zgjedhor janë të mirëpritura".
Presidenti
Lidhur me nenin e zgjedhjes së Presidentit, komisioni vlerëson se "Ky nen rregullon zgjedhjen e Presidentit të vendit. Ndryshimi më i madh është se ndërsa më parë duhej marrja e shumicës prej 3/5 të votave të parlamentit në të pesë raundet, ndërsa tani shumica e votave të deputetëve është e mjaftueshme në raundin e katërt dhe të pestë të votimit. Ky ndryshim është i mirëpritur. Ky ndryshim zvogëlon mundësinë që dështimi i zgjedhjes së Presidentit të çojë në shpërndarjen e parlamentit".
Vërejtjet e Venecias
Amendimi i nenit 104
Ky ndryshim ka të bëjë me mocionin e besimit të iniciuar nga Kryeministri. Më parë, nëse mocioni rrëzohej, një kryeministër tjetër duhej zgjedhur brenda 15 ditëve. Këtu nëse më shumë se gjysma e deputetëve voton për mocionin, Kryeministri i kërkon Presidentit të shpërndajë parlamentin. Amendamenti ndryshon balancën mes parlamentit dhe qeverisë, ashtu siç mund të ketë mundësi te zgjedhë një kryeministër të ri dhe mungesa e votave në një mocion besimi çon drejt zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme. Amendamenti e bën opozitën më të etur për të prezantuar mocionin e mosbesimit dhe deputetët që mbështesin qeverinë bëhen më të nënshtruar ndaj të favoreve të qeverisë. Ndërsa amendamenti mund të justifikohet me idenë se është në favor të stabilitetit, pasi siguron një stimul ndaj Kryeministrit, të mbështesë mocionin e besimit në Këshillin e Ministrave, është gjithashtu e qartë se pozicioni i Kryeministrit forcohet së tepërmi. Zgjidhja që ishte në kushtetutën e kaluar dukej më e balancuar dhe i jepte Presidentit mundësi të vendoste për zgjedhje të reja ose ndryshimin e Qeverisë.
Neni 149
Ndryshimet kushtetuese sigurojnë që Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me propozim të Kuvendit, për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Amendamenti duket një hap mbrapa dhe rrezikon komprometimin e paanësinë së Prokurorit të Përgjithshëm, veçanërisht gjatë kohës kur ai kërkon të rizgjidhet.