E Diel, 1 Nëntor 2026

Minxhozi: Konflikti Topi-Berisha mban peng emërimin e ambasadorëve

 

Partia Socialiste ngre shqetësimin për mungesën e ambasadorëve shqiptarë në shtetet kryesore të Evropës, por mbi të gjitha në shtetin më të ri në botë, Kosovën. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, në diskutimin e tij në Parlament ngriti shqetësimin për mungesën e ambasadorëve, e cila ka ardhur si pasojë e konfliktit institucional ndërmjet Presidentit, Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha. "Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka ambasadorë në Kosovë, ndër vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Janë 15 vende që në Prishtinë kanë vendosur ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme. Është paradoksale dhe nuk është aspak në interesin kombëtar", deklaroi Minxhozi. Ai ngriti me shqetësim mos caktimin e ambasadorëve shqiptarë pikërisht në ato shtetet ku janë shprehur hapur për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Prapë lidhur me Kosovën. Si është e mundur që ne lëmë dy vjet e gjysmë pa ambasador në Egjipt, në Kajro. Ndërkohë që Egjipti është ndër vendet kryesore që po bën lobing që vendet arabe të mos japin pavarësinë e Kosovës dhe ne e lëmë Egjiptin dy vjet e gjysmë pa ambasador? Si është e mundur që një ndër fuqitë më të mëdha në botë, Rusia, Moska lihet pa ambasador? 6 muaj nuk kemi ambasador atje, që kur është kthyer zoti Laco. Dhe e themi se Rusia të zbutet në qëndrimet e saj ndaj Kosovës", deklaroi Minxhozi. Ai shtoi se ambasada në Indi është inaguruar para dy ditësh, pa ambasador, vetëm godina. Ka një vit që kërkohet për t'u hapur ambasada. Nuk ka ambasador në Spanjë. Ka tre muaj që është larguar ambasadorja që andej dhe Shqipëria nuk ka ambasador. "Ajo pastaj që i ngjan një infantiliteti real është mungesa e ambasadorit tonë në Gjermani, themi se Gjermania është një aleati ynë strategjik. Por në fushën diplomatike ne e injorojmë komplet. Ka një vit pa ambasador, sepse Kryeministri propozoi për një ambasador dhe Presidenti nuk e miratoi këtë. Për inat u la, që në vend që të kemi nivel ambasadorësh, kemi nivel të ngarkuarish me punë. Ku ndodhin këto? Në çfarë vendi evropian ndodhin këto?", theksoi Minxhozi. Sipasi tij, si sot një vit, Presidenti Topi dekretoi ambasadorin tonë në Japoni dhe nuk ka shkuar sepse nuk e lë Ministria e Jashtme.                 b.h

Vendet ku Shqipëria nuk ka ambasador

    Në Republikën e Kosovës
    Në Gjermani vendi vakant prej 1 viti
    Në Spanjë vendi vakant prej tre muajsh
    Në Egjipt vendi vakant prej dy viti e gjysmë
    Në Rusi vendi vakant prej gjashtë muajsh
    Në Japoni vend vakant prej një viti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›