E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva, hyjnë gratë me fëmijët

 

GJIROKASTER

Banorët e pallatit të shkatërruar, në ditën e katërt të grevës së urisë, kanë marrë vendimin për agravimin e formës së protestës. Ata nuk kanë pranuar shumën e dëmshpërblimit të caktuar nga qeveria, duke rënduar më tepër situatën.
Dje, në orët e mesditës, grevës i janë bashkuar edhe familjarët e tjerë të 10 burrave të ngujuar prej së hënës. Gra dhe fëmijë janë ngujuar disa orë në shenjë mbështetjeje për atë çfarë pretendojnë se është e drejta e tyre për të kërkuar një për një të hollat. Në vendin ku u ngujuan për tre ditë rresht, kanë qëndruar për orë të tëra gratë dhe fëmijët e grevistëve por në orët e vona të pasdites, ato e kanë lënë grevën. Shkak është bërë kërkesa e vazhdueshme e burrave grevistëve për t'u larguar, pasi momenti për të hyrë në grevë do të vijë pas disa ditëve dhe se ky do të ishte sinjali SOS për ta. Me lot në sy, gratë e grevistëve kanë apeluar te mekanizmat shtetërore për të marrë paratë e apartamenteve të rrëzuara. Ndërsa grevistët, ashtu siç deklaruan një ditë më parë, u përqendruan në një ambient poshtë rrënojave të pallatit të rrëzuar, i cili ruante ende fizionominë e një apartamenti të braktisur. Në një hapësirë gati 45 metra katrorë, të gjithë grevistët e urisë, kanë hyrë të qetë dhe të vendosur për të vazhduar derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim nga ana e qeverisë shqiptare, në rast të kundërt, rrugëzgjidhje nuk ka, përveçse të vdesin. Efektet e para greva i ka dhënë tek tre banorë, njëri prej të cilëve Ibrahim Braho, pësoi një krizë kardiovaskulare por që u arrit të frenohej në kohë duke mos u agravuar. Sipas kardiologut Përparim Selfo, gjendja e të sëmurëve me tension të lartë është paraqitur mjaft serioze gjatë orëve të natës së të mërkurës por më keq ka qenë i moshuari Braho. Ndërsa dy grevistët e tjerë janë përcjellë në ambientin e grevës, pasi kanë marrë trajtimin mjekësor. Edhe dje në mëngjes gjendja e tyre ka qenë kritike.
Me një letër drejtuar Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, grevistët kanë kërkuar leje për organizimin e një tubimi sensibilizues me karakter paqësor në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavije, duke mos fshehur madje edhe tentativën për bllokim të njëanshëm të saj. Mirëpo kjo kërkesë duket se nuk ka mbërritur në Policinë e Gjirokastrës. Zëdhënësi i saj Gentijan Mullai, është shprehur për gazetën "Panorama" se nuk ka mbërritur zyrtarisht ndonjë kërkesë nga ana e banorëve grevistë që të kërkojnë organizimin e një tubimi të tillë. Por nga ana e tyre grevistët paralajmëruan bllokimin e njëanshëm të rrugës nacionale si shenjë e qartë kundër qeverisë për dëmshpërblimin e apartamenteve të zhdukura. Ka pasur propozime që protesta të zhvillohet para godinës së Bashkisë së Gjirokastrës në katin e tretë të së cilës ndodhet edhe Prefektura, por këto zëra nuk janë marrë parasysh nga ata që qëndrojnë në grevën e urisë. Sipas tyre, e vetmja formë për marrjen seriozisht të kërkesave të tyre ndaj organeve shtetërore, është përshkallëzimi i protestës duke bllokuar rrugën nacionale.

Presidenti Topi: Qeveria të gjejë zgjidhjen e shpejtë për banorët

TIRANE - Kreu i shtetit i kërkon qeverisë të gjejë zgjidhje të shpejtë për çështjen e banorëve të Gjirokastrës. Presidenti Bamir Topi ka ndërhyrë dje për këtë çështje, duke u shprehur i shqetësuar për mungesën e një zgjidhjeje për banorët e mbetur pa strehë. Vonesa në gjetjen e një zgjidhjeje nga Këshilli i Ministrave apo pushtetit vendor është cilësuar nga Presidenti si shkak për futjen e banorëve në grevë urie. Në një deklaratë të bërë dje nga presidenti në lidhje me këtë çështje, ai u shpreh se po ndjek me shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve në Gjirokastër. "Ata janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre", pohoi Topi. Presidenti i Republikës ishte i pari që takoi banorët e mbetur pa strehë, si pasojë e tragjedisë së 9 nëntorit, duke u dhënë atyre dhe garanci për një zgjidhje të shpejtë. Por, tashmë që banorët kërkojnë zgjidhje emergjente, ajo duket larg. Gjatë deklaratës së tij, kreu i shtetit theksoi faktin se strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor duhet të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve. "Ato kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t'u sistemuar në kushte normale", pohoi Topi, ndërsa kërkoi dhe nga institucionet përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›