E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët bojkotojnë Kuvendin: Kthehemi kur të votohet Kodi

 

BLEDAR HOTI

Socialistët bojkotuan seancën e Parlamentit në shenjë proteste për mos miratimin e dekretit të Presidentit dhe të Kodit Zgjedhor. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj shpalli dje bojkotin e opozitës nga seancat parlamentare, gjer në momentin kur të paraqitet për votim dekreti i kreut të shtetit. Grupi parlamentar, pas diskutimeve njëorëshe jashtë rendit të ditës në Kuvend, kërkoi 10 minuta pushim për të mbajtur qëndrimin përfundimtar. Me rifillimin e seancës parlamentare, Leskaj fajësoi Kryeministrin Sali Berisha për diversionin që po kryen, duke vënë përballë PS-në dhe LSI-në. "Ajo që Kryeministri po bën sot me Kodin Zgjedhor është tërësisht e pa moralshme. Pasi i bëtë vlerësimet maksimale Kodit, pasi i bëtë vlerësimet maksimale procesit që prodhoi Kodin, pasi e quajtët votimin plebishitar, tani e bllokoni. Keni bllokuar komisionin për Kodin me urdhër të Kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë", deklaroi Leskaj. Sipas saj PD-ja, në vend që Komisioni i Kodit Zgjedhor të marrë në shqyrtim Dekretin e Presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që  tashmë e ka gjetur, bllokoni në mënyrë të njëanshme komisionin, duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. "Rrezikohet formimi i KQZ sipas Kodit të Ri. Me skenarin e lartpërmendur, KQZ në rastin më të mirë  do të ngrihet në fund të shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohe ligji e ngarkon KQZ me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ aktuale nuk mund t'i kryejë. Duke vlerësuar që zgjedhjet e lira janë në rrezik dhe duke mos u bërë pjesë e lojës politike të Kryeministrit, Grupi i PS nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri sa të vijë në Kuvend për miratim,  Dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor", theksoi Leskaj. Qëndrimit të socialistëve i është bashkangjitur edhe PSD-ja, ku deputeti Bejtaj theksoi se as grupi i tij parlamentar nuk do të marrë pjesë në seancë, pa u miratuar më parë dekreti i Topit. Ndërsa deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, ftoi dy partitë PS dhe PD që të reflektojnë në qëndrimin e tyre, për të mos lënë në fuqi një Kod Zgjedhor të kontestuar. "Dy partitë të reflektojnë dhe të bëjnë një ndryshim që ta bëjnë Kodin më të pranueshëm dhe më të besueshëm për procesin e zgjedhjeve", theksoi Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›