Haxhinasto: Bojkoti dëmton përmirësimin e Kodit Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk përkrah vendimin e PS-së për të bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, shprehu dje keqardhje për vendimin e marrë nga PS-ja, duke e cilësuar atë jo në dobi të përmirësimit të Kodit Zgjedhor. "Dëshiroj të shpreh keqardhjen për reagimin e Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar për t'u larguar nga Parlamenti, për të mos i lënë hapësirë diskutimit parlamentar mbi amendimet për Kodin e Zgjedhjeve pas kthimit të tij për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës. Gjykojmë se bojkoti i Parlamentit nuk është një mënyrë e sjelljes konstruktive parlamentare", tha Haxhinasto. LSI i kërkon PS-së të reflektojë për të përmirësuar defektet e Kodit Zgjedhor. LSI mbështet dhe shqetësimet e faktorit ndërkombëtar për domosdoshmërinë e ndryshimeve që duhet t'i bëhen Kodit Zgjedhor dhe i kërkon PS-së të lexojë mirë mesazhet që vijnë. "Bëhet fjalë për përmirësime të Kodit Zgjedhor, i cili tashmë është evidentuar që ka probleme të mëdha me standardet e pranuara për zgjedhjet, kryesisht duke shkelur parimin e gjithëpërfshirjes dhe barazinë e konkurrentëve në zgjedhje. Reflektimi i PS-së për një çështje të tillë është kërkuar jo vetëm nga LSI dhe shumë parti të tjera të përjashtuara nga administrimi i procesit zgjedhor, por edhe nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, nga Partia e Socialistëve Evropiane dhe Grupi Socialist në Parlamentin Evropian", tha Haxhinasto.