Burri i madh i Kosovës
Nga dr. Fatmir Sejdiu
Dhjetë vjet më parë, Kosova po kalonte tragjedinë më të madhe në historinë e saj. Në pranverën e vitit 1999, e përballur me sulmet ajrore të NATO-s dhe e bindur tashmë se shekullit të sundimit të saj të egër në Kosovë po i vinte fundi, Serbia kreu masakra të papara ndaj popullsisë civile anekënd Kosovës. Përderisa forcat e rregullta policore e ushtarake serbe po e vazhdonin ditë për ditë plojën ndaj qytetarëve të pambrojtur shqiptarë, piromanët e nxitur nga Millosheviçi dhe e gjithë kasta e Beogradit zyrtar po digjnin shtëpi pas shtëpie, shkollë pas shkolle, duke mos i kursyer madje as objektet e kultit. Pikërisht në ato ditë të rënda, kur Serbia haptas po tentonte ta shndërronte vendin tonë në një tokë të djegur, u shua edhe jeta e profesorit të nderuar, politikanit e atdhetarit të madh të Kosovës, Akademik Fehmi Aganit.
Profesor Agani, vetëm pak javë përpara se Kosova të dilte përfundimisht nga terri i robërisë, u ekzekutua barbarisht nga forcat serbe. Si shumë veprimtarë të tjerë të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, edhe Fehmi Agani shkoi nga kjo botë pa e pritur agun e lirisë. Porse, për të gjithë ne që e njohëm dhe patëm fatin të bashkëpunonim me të, mbetet kënaqësi fakti se ai, me punën dhe me veprën e madhe që na la trashëgim, jeton dhe do të jetojë përherë në kujtesën tonë individuale e nacionale si njeriu që diti t’i shkrinte në një virtytet njerëzore, dijen intelektuale dhe dashurinë për atdheun e vet.
Profesor Agani, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit njëzet, ishte njeriu më aktiv i lëvizjes sonë të përgjithshme për liri e pavarësi. Ai ishte krahu i djathtë i Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, duke e kujtuar shëmbëlltyrën e profesor Aganit, theksonte: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij. Profesor Agani ishte burrë i madh i Kosovës. Njeri me mendje dhe zemër të madhe, siç e njohim dhe siç e dimë të gjithë. Profesor Agani ishte dhe do të mbetet Heroi i Kosovës. Tërë jetën dhe veprën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë Kosovës".
Duke i miratuar në tërësi këto vlerësime të Presidentit tonë të urtë, dr. Rugova, për profesor Aganin, ritheksojmë se Fehmi Agani gjithmonë ka qenë i veçantë në modestinë njerëzore e morale, cilësi kjo e njerëzve të mëdhenj. Me këto veçori të personalitetit të tij dhe me forcën e argumenteve që shtronte për ta mbrojtur çështjen e Kosovës dhe kauzën nacionale përgjithësisht, profesor Agani fitonte përkrahjen e diplomatëve të botës dhe respektin për të si burrë shteti i Kosovës.
Siç e kanë theksuar edhe njohësit e veprës së tij, krijimtaria intelektuale e Fehmi Aganit është shtrirë më konkretisht në fushat e sociologjisë, të sociologjisë politike dhe të filozofisë së politikës, të raporteve shoqërore, të lëvizjeve çliruese dhe çlirimtare, të grupeve dhe partive politike etj. Agani zë një vend të dalluar në kulturën shqiptare të pjesës së dytë të shekullit të kaluar.
Republika e Kosovës, e integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë motoja e veprimit dhe e vizionit politik të prijësve të lëvizjes sonë të përgjithshme për liri, pavarësi e demokraci. Kjo moto mbetet e njëjtë edhe sot, kur Kosova është njohur nga 58 vende të botës demokratike dhe pret njohjet e tjera, për të cilat institucionet e vendit dhe miqtë tanë ndërkombëtarë po punojnë me zell. Me vullnetin e Zotit, kësaj vere, Kosova do të ketë daljen e vet në det, sepse Adriatiku po afrohet me autostradën Durrës-Prishtinë, e cila ka qenë një projekt shpirtëror i Presidentit Rugova dhe po bëhet realitet sot nga qeveria “Berisha”.
Për ta përmbyllur këtë fjalë timen për profesorin, politikanin dhe atdhetarin e shquar Fehmi Agani, më lejoni të theksoj se profesor Agani ka qenë pjesë aktive në të gjitha aktet madhore të vendit tonë gjatë viteve ’90, siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe ndërtimi i institucioneve të Kosovës. Ai ishte gjithmonë në front të veprimit si në planin publicistik e diplomatik, ashtu edhe në atë të punës në terren. Profesor Agani është një emër që i dha aq shumë formimit të kulturës politike, shtetërore e njerëzore të vendit tonë. Vokacioni dhe trashëgimia që na e ka lënë ai, është pjesë e përkushtimit në punën tonë të mëtejme për ta bërë Kosovën të tillë si ai e ka dashur dhe e ka ëndërruar.
*President i Kosovës. Fjala në dhjetëvjetorin e vrasjes së Akademik Fehmi Aganit