E Diel, 1 Nëntor 2026

Cinizmi kriminalo-gjenetik i “politikës së re”



Nga Bedri Çoku

Kohët e fundit kam qenë i përfshirë në ca meremetime brenda shtëpisë sime dhe nuk kam pasur mundësi të ndjek disa emisione televizive, sidomos diskutimet e forcave politike në garën paraelektorale që organizon shpesh televizioni. Por gjithsesi, nuk mund të them se kam shpëtuar nga përshtypjet e njerëzve të tjerë, shokëve dhe miqve të mi për këto emisioneve. Ai më mbresëlënësi, sipas tyre, paskësh qenë, kohët e fundit, përballja e Ridvan Bodes dhe Majlinda Bregut me ekonomistët socialistë, Beqen dhe Bushatin, dy figura të reja këto në prurjet e lëvizjes “Përtej së majtës e së djathtës” që promovon lideri i ri i së majtës socialiste. Është e natyrshme që “garistët” të turren me furi ndaj njëri-tjetrit daç në parime, daç për shifrat, daç edhe për arritjet e mosarritjet e mazhorancës, që t’i mbushin mendjen elektoratit për t’i votuar ose jo... por... kurrsesi nuk mund të “garojnë” lidhur me të kaluarën e tyre biografike, “të mirë” apo “të keqe”, siç i përcaktonte diktatura komuniste njerëzit “pro” dhe “kundër” tyre, e cila, sido që t’i përcaktonte në këto dy sense, gjithsesi ishte e trishtueshme dhe fatkeqësi e madhe. E para, sepse “ai me biografi të mirë” ishte i detyruar të zbatonte me besnikëri vendimet e partisë e të pushtetit të diktaturës së proletariatit, pra, me dëshirë apo pa dëshirë ishte i detyruar që të ushtronte diktaturën tek njerëzit me “biografi të keqe” dhe mbi popullin e thjeshtë. Ndryshe e prisnin pasojat e rënda, deri në internime dhe burgosje... Ata që përpiqen sot të thonë se në atë kohë kanë qenë të butë e liberalë, gënjejnë dhe mashtrojnë në mënyrë të paturpshme. Nuk meritojnë t’i dëgjosh apo t’i vlerësosh si njerëz të sinqertë e përparimtarë, të cilët gjoja mendojnë sinqerisht për të ardhmen e shqiptarëve. Këto të vërteta që do të them, sa të hidhura aq edhe të dhimbshme, më detyroi t’i them në këtë shkrim deklarata e të riut socialist, Bushatit, në emision se i ati i tij, Sulejman Bushati, Sekretar i Parë i Partisë së Punës në disa rrethe të vendit, paskësh qenë “njeri i mirë e liberal dhe s’i ka bërë kurrkujt në botë një të keqe”. Unë e kuptoj se kjo është një deklaratë naive, idiote dhe cinike deri në ulërimë, por jo ulërimë për atë që e bën këtë deklaratë, sepse ai është i biri i Sekretarit të Parë dhe i babait komunist, njëkohësisht, ulërima është e atyre që vuajtën dhe humbën rininë apo jetën nga vendimet e sekretarëve të parë të diktaturës komuniste. Pse them nga vendimet e sekretarëve të parë, në këtë rast? Ndërsa njëkohësisht, Bushatit riosh i jap të drejtë që thotë ashtu për të atin, edhe pse i ati ka qenë në një pozicion shumë të lartë partiak në diktaturë, sepse për të birin ai ka qenë tamam siç do ta dëshironte të ishte edhe sot në demokraci: “I mirë e liberal!” Pse e thotë kështu? Sepse askush nuk i ka thënë atij se i ati ka internuar e burgosur njerëz të pafajshëm... e me të drejtë ndihet krenar për babain e vet, me poste të larta në diktaturë e të mira materiale, sepse ai e të tjerë si ai, që u rritën e po jetojnë të lirë në demokraci, nuk kanë dëgjuar të thuhet kurrë se komunistët, sidomos ata që ishin në pozicione të larta partiake, kanë qenë organizatorët dhe zbatuesit më të devotshëm të diktaturës së proletariatit, kur, edhe pas 18 vjetësh gjoja në demokraci, krimet e tyre jo vetëm që nuk janë dënuar nga shteti demokratik, përkundrazi, me një strategji të re po kapërcehen për t’u harruar njëherë e përgjithmonë, sapo të triumfojë teoria e bijve dhe nipërve, të tyre... “Përtej së majtës e së djathtës”... e cila do të sanksiononte përfundimisht që në diktaturën komuniste nuk kanë qenë fajtorë ata që e ushtruan atë, por ata që e kundërshtuan diktaturën dhe u flijuan për ta mundur atë. Sepse të thuash sot, pas kaq vitesh në demokraci, se Partia Socialiste na qenka vazhduesja e Partisë së Punës Komuniste dhe e krimeve të kriminelëve, pse në të militojnë ende protagonistët e diktaturës, s’ka se si të mos quhesh një prapanik i politikës së vjetër që nuk i lë të qetë ata që “vuajtën” shumë për të mposhtur kundërshtarët e regjimit komunist, duke i vrarë, varur dhe grabitur për qëllime madhore: triumfin e komunizmit në botë!

Nuk e di se pse e sollën dhe e lanë gati dy javë të ndjerin Anton Sheti, eksponentin e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dhomën tonë, në burgun e Burrelit, pasi partia e tij e dënoi si armik e tradhtar të vendit e të partisë. Sepse pastaj ai kaloi tek “Mesi”, siç quhej vendi në atë burg, ku vuanin pikërisht ata që kishin qenë në pozicione të larta në nomenklaturën komuniste. Anton Sheti, për ato pak ditë që ndenji midis nesh, la mbresa të mira dhe u tregua i sinqertë. Na tha disa gjera për të cilat nuk i dinim ose i dinim turbull. Na tregoi edhe për Enverin që po tretej shumë dhe e kishte humbur toruan kohët e fundit, ndërsa shtetin dhe qeverinë po drejtonte Ramizi me Nexhmien. Aludoi edhe për mundësinë e arrestimeve të tjera dhe eliminimin e disa të tjerëve që mbanin poste të rëndësishme, por pa përmendur emra... Ndërsa pyetjes që i bëri një fakir fukara, i cili kishte qenë partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vuante në burg pse i kishte thënë Hysni Kapos se udhëheqja e lartë s’duhet të mbante shërbëtore në shtëpi, njëlloj si borgjezët që këta i kishin përmbysur, se cilat ishin kriteret e arrestimeve për njerëzit me “biografi të mirë” kur pikërisht një pjesë e mirë e tyre që po vuanin nëpër burgje nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend t’i kundërviheshin pushtetit popullor, përgjigja ishte vërtet e çuditshme dhe e paimagjinueshme.

- Çdo vit, - iu përgjigj Antoni i sinqertë, - Ministria e Brendshme u dërgon sekretarëve të parë të rretheve shifrën e njerëzve që duhet të arrestohen si armiq. Kjo shifër është e ndryshme, sipas rretheve. Kontigjenti i parë për t’u arrestuar, kuptohet, janë nga të klasave të përmbysura dhe kundërshtarë të regjimit; pastaj vijnë njerëzit nga familjet e dorës sonë, por që kanë filluar të ngrenë bishtin, nga mirëqenia apo hardallisja pas televizorit. Numri i të arrestuarve që dërgon për çdo vit nëpër rrethe Ministria e Brendshme është sekret, të cilin e dinë vetëm dy vetë në çdo rreth. Sekretari i Parë i rrethit dhe kryetari i degës së Punëve të Brendshme. Këta të dy janë ata që të bëjnë gjëmën, që kanë fatin e njerëzve në dorë. Pikërisht, këta të dy vendosin nëse duhet të jetojë një njeri i lirë apo i burgosur. Pavarësisht nëse ka faj apo jo... Nëse duhet të jetë një njeri spiun i degës së Punëve të Brendshme apo jo... Shifra e të arrestuarve nëpër rrethe jepet në bazë të kërkesës që paraqet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për punëtorë në minierat që shfrytëzohen, në këtë rast, nga të burgosurit politikë. Por është edhe kërkesa e Sigurimit të Shtetit për të krijuar, në raste të veçanta, situata terrori në rrethe dhe vende të veçanta...

Ndoshta kjo qe edhe arsyeja, mendoj unë, që Anton Shetin e larguan urgjentisht nga dhoma jonë, për ta bashkuar me ata të “Mesit”... me shokët dhe miqtë e tij që dergjeshin atje të ndëshkuar rëndë nga diktatura komuniste pse kishin guxuar të zbusnin luftën e klasave...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›