Burri kërkon divorc nga gruaja monstër
Tragjedia e një familjeje shqiptare në shtetin grek e ndodhur rreth një muaj më parë, e cila pati për protagoniste një nënë vrasëse të dy fëmijëve të saj, tronditi opinionin shqiptar dhe atë helen. Vetëm disa javë më pas, kryefamiljari Arti Dervishi, u është drejtuar procedurave të divorcit. Ai thotë se nuk mund t‘ia falë gruas së tij aktin monstruoz e nuk mund ta pranojë më si bashkëshorten e tij. Babai i dy fëmijëve të mbytur nga nëna e tyre, Bardha Dervishi, për të parën herë ka pranuar të tregojë publikisht se si ka ndodhur ngjarja. Arti Dervishi, i kthyer vetëm pak ditë më parë në fshatin Cangonj të Korçës, tregon momentet se si i ka gjetur fëmijët pa jetë. 41-vjeçari nis të tregojë se nuk e dinte se ishte përfshirë në një tragjedi të dyfishtë, kur gruaja, Bardha Dervishi, është hedhur para syve të tij në gjendje të terrorizuar për të tentuar vetëvrasjen në aksident. Ai rrëfen se ndërsa po kthehej pasi kishte blerë ushqim për fëmijët, ka gjetur gruan para shtëpisë. Arti thotë se ka qenë momenti kur ai do të parkonte mjetin kur ajo është hedhur para një makine në rrugë dhe është aksidentuar rëndë. Ndërsa është përpjekur të ndihmojë bashkëshorten, Arti Dervishi do të mësonte se tragjedia nuk përfundonte këtu. "E pashë që u hodh para makinës dhe e mora në krahë ashtu siç ishte me gjak e goditur në kokë, për t‘i dhënë ndihmë. Njoftova policinë për aksidentin dhe po merresha me gruan. Pasi atë e morën me ambulancë në gjendje të rëndë, doja të hyja në shtëpi të merresha me fëmijët dhe t‘i qetësoja. Dera ishte e mbyllur nga brenda dhe u detyrova që me ndihmën e fqinjëve të hyja brenda në shtëpi. Thirra fëmijët, por ata nuk po më përgjigjeshin. Pasi i kërkova nëpër shtëpi, shkova në banjë. I gjeta aty në vaskë, të mbytur që të dy. Pasi i kishte mbytur i kishte mbuluar me një fustan", tregon babai i dy fëmijëve, përkatësisht Aleksandrën, tetë vjeçe dhe Sotirin, dhjetë vjeç. Arti Dervishi, babai i dy fëmijëve të mbytur nga nëna e tyre, ende i terrorizuar nga tragjedia e rëndë është rikthyer në fshatin e tij, pranë familjes me të vetmin qëllim për të kërkuar divorcin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë. Ai ka depozituar padinë në gjykatë për zgjidhjen e martesës dhe tregon se nuk mund ta falë një krim kaq makabër. "Nuk mund ta fal kurrë këtë krim dhe nuk mund ta pranoj për bashkëshorte. Edhe pse ndodhet në Greqi dhe atje po bëhen të gjitha hetimet dhe pritet edhe një përgjigje nga ekspertizat në rast se ka probleme mendore, unë nuk e besoj një gjë të tillë. Ajo nuk ka vuajtur më parë nga depresioni. Katër ditë para ngjarjes ankohej nga stomaku dhe e kisha vizituar në spital. Ditën që ndodhi tragjedia kisha shkuar për të marrë ilaçet. Madje edhe me fëmijët sillej shumë mirë", thotë ai. Sipas Dervishit, bashkëshortja e tij nuk vuante nga depresioni dhe se kjo mund të përdoret si alibi prej saj për një dënim më të ulët në shtetin grek, ku ndodhet në gjendje arresti. Kryefamiljari i prekur nga tragjedia, edhe pse nuk do ta pranojë publikisht, thotë se motivi mund të ketë qenë xhelozia për një martesë të mëparshme të tij. Ai thotë se nga martesa e parë ka pasur fëmijë të tjerë dhe se gruaja e tij, Bardha, ishte shumë xheloze. Arti dyshon se bashkëshortja e tij është nxitur nga xhelozia për kryerjen e krimit, por më pas mund të jetë penduar duke tentuar vetëvrasjen. Tragjedia në familjen shqiptare ndodhi më 9 gusht në Elefsina. Familja Dervishi jetonte në Greqi prej 12 vjetësh. Ndërsa Arti ka kërkuar tashmë divorcin, gruaja e tij, Bardha, ndodhet në gjendje arresti në shtetin grek. Ai thotë se do të insistojë për ndarjen edhe pse mund ta ketë të vështirë të ndjekë procedurat, për faktin se ajo tashmë akuzohet për një krim të rëndë.