E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Tiranës: Siguroj bashkëpunim me policinë

Prefekti i ri i Tiranës, Keltis Kruja, kërkon nga drejtuesit e Policisë së Tiranës të bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin rigoroz të ligjit në çdo hap të punës së tyre dhe efektivave që drejtojnë. "Të tregojnë qytetari në komunikimin me publikun dhe paanshmëri në zgjidhjen e konflikteve, të sigurojnë bashkëpunim me institucionet qendrore në nivel vendor dhe me njësitë e qeverisjes vendore", është shprehur ai në një takim prezantues dhe informues me drejtuesit e Strukturave të Policisë së Tiranës. Prefekti i Qarkut të Tiranës, duke vlerësuar punën dhe arritjet e deritanishme, për reformat e realizuara në polici, siç janë përmirësimi i kuadrit ligjor, aplikimi i strukturës së re dhe gradave të reja policore, aplikimi i filozofisë së policimit në komunitet, përmirësimi i kushteve të punës e shërbimit, u shpreh se të gjitha këto kanë mundësuar rezultate të qëndrueshme të strukturave të policisë, si dhe rritur dukshëm besimin e komunitetit ndaj policisë. Më tej, në fjalën që mbajti drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, drejtues i parë, Tonin Vocaj, informoi prefektin mbi gjendjen e strukturave të policisë, situatën e rendit dhe sigurisë publike, tendencat e kriminalitetit dhe problemet e tjera. Ai theksoi se janë marrë masa nga policia për sigurinë rrugore, për sigurinë në shkollat e të gjitha niveleve, për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndërhyrjet në rast emergjencash civile. Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit, drejtues Sajmir Boshnjaku, bëri një prezantim të strukturave të departamentit që mbulon ky drejtim, mbi garantimin e sigurisë në Pikat Kufitare të Qarkut të Tiranës, si dhe ofrimin e shërbimit të shpejtë e të kulturuar për qytetarët shqiptarë e të huaj. Kruja u siguroi drejtuesve të policisë bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucionit të prefektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›