E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes saldatori në punë, pranga pronarit të vinçit

Pronari i një vinçi është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për vdekjen aksidentale në punë të një saldatori. Viktima ka qenë duke punuar në vinçin e tij, kur është këputur kova, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur në lidhje me këtë ngjarje se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 u krye arrestimi i shtetasit Bari Sait Babaj, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Arrestimi i tij u krye sepse në segmentin rrugor Bathore-Zall Herr, në një vinç të cilin e kishte në pronësi të tij, ka gjetur vdekjen punëtori Fredi Sokol Jaku, 40 vjeç, banues në Shkodër. Viktima ishte punësuar prej Bari Babajt, në profesionin si saldator. Dje, 40-vjeçari po merrej me saldimin e vinçit, ku për pasojë vinçi është këputur dhe e ka zënë poshtë. Sipas grupit hetimor, Fredi Jaku ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pavarësisht se është tentuar t‘i jepet ndihma e parë. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë". I arrestuari ka pranuar të shkojë në polici, duke mos i rezistuar arrestimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›