“Burri më tha: Shkoj te vajza e vdekur”
Etleva Delia
Vdekja e Kujtim Osmanit ishte një tragjedi e dytë për familjen e tij pas vdekjes së vajzës Resmie Osmani, në fabrikën e armëve në Gërdec. Ata kërkojnë nga Bashkia e Vorës një arsye për shkarkimin e Kujtimit nga puna, pasi tani që ai ndërroi jetë nuk u mbetet për të bërë asgjë tjetër. Gruaja e 47-vjeçarit që vdiq dy ditë më parë, Tushe Osmani, në një intervistë për gazetën “Panorama” tregon momentin kur ka folur për herë të fundit me të shoqin dhe fjalët e fundit, që ai ka thënë para se të vdiste. Tushe Osmani tregon për vizitën në shtëpinë e tyre të kryetarit të Bashkisë së Vorës, i cili gjatë ngushëllimeve për Kujtimin, është shprehur se këto ditë kishte ndërmend ta rikthente në punë atë. “Kryetari i Bashkisë së Vorës erdhi dje për ngushëllime në shtëpinë tonë, por nuk ishte në gjendje të na jepte një përgjigje se përse e kishin pushuar Kujtimin nga puna”, thotë bashkëshortja. “Na tha që kishte biseduar me të para disa ditësh dhe i kishte thënë që shumë shpejt ai do të rikthehej në punë në bashki, ku punonte si pastrues”, vazhdon më tej Tushe Osmani.
Kur ishte momenti i fundit që biseduat me Kujtimin para se ai të ndërronte jetë?
Isha kthyer nga puna, nuk ndodhesha në shtëpi. Kujtimi ishte vetëm, por nuk e dija nëse kishte ardhur, pasi që kur e hoqën nga puna, kalonte gjithë ditën jashtë, duke pirë. Pasi hyra në shtëpi dhe tek dhoma e ndenjes pashë Kujtimin që ishte shtrirë në dysheme. Nxitova dhe iu drejtova: Po prapë paske pirë o burrë. Gjithnjë mendova se ai ishte i dehur dhe do i kalonte pasi të flinte dhe të zgjohej prapë. Ai mu përgjigj: Unë do të shkoj pranë vajzës o grua, të kam thënë. Pas këtyre fjalëve pashë pranë tij kutinë e ilaçeve që ai përdorte për ta qetësuar. Nuk e dija se çfarë ilaçesh ishin, por pashë që kutia ishte bosh. U mundova që ta ngrija nga dyshemeja dhe e vendosa në divan që të flinte dhe të pushonte pak. Më pas mora kutinë dhe zbrita në oborr të pallatit ku po qëndronte një furgon policie. Iu drejtova atyre dhe u thashë që nëse me ndihmonin dot se çfarë ilaçesh kishte kutia që unë kisha në dorë. Ata më thanë që nuk e dinin, por do pyesnin në farmacinë afër. Na thanë që nuk ishte ndonjë problem sepse kokrrat që kishte pasur kjo kuti ishin qetësues. Ne nuk e dinim se sa kokrra ka pasur në kuti para se t’i pinte Kujtimi. Ajo kuti mbante 20 tableta. Më pas u ngjita lart dhe vjehrri më thotë që dyshonte se Kujtimit i kishte ndodhur diçka e keqe, se ai nuk po merrte frymë. Pasi u munduam për disa minuta që t’i matnim pulsin e kuptuam që ai kishte vdekur.
Çfarë bëtë më pas, kë lajmëruat?
Kemi lajmëruar menjëherë mjekun, i cili erdhi në shtëpi dhe na tha të njëjtat gjëra që ne i kishim kuptuar tashmë. Kujtimi kishte ndërruar jetë. Më pas u lajmërua policia dhe e transportuam Kujtimin te morgu dhe raporti paraprak mjeko-ligjor thotë që vdekja e tij është e papritur. Por ne e dimë që ai e priste këtë vdekje. Ai kishte filluar të pinte që pas të shtatave të vajzës që na vdiq në Gërdec. Madje, pasi varrosëm atë ai nguli një shkop pranë varrit të saj dhe tha që aty pranë do shkonte edhe ai shumë shpejt. Kujtimi u stresua shumë edhe pasi e hoqën nga puna, filloi të pinte edhe më shumë.
Sa kohë kishte Kujtimi pa punë?
Kishte gati 3 muaj që e kishin shkarkuar nga puna. Pa asnjë motivacion, jo atëherë kur e hoqën, por edhe tani që ai vdiq askush nuk na ka dhënë një shpjegim se përse e hoqën nga puna. Nëse im shoq do vazhdonte të ishte në punë, jam e sigurt se sot do të ishte gjallë, sepse puna ia kalonte paksa stresin dhe deri diku harronte atë çfarë i ndodhi vajzës tonë një vit më parë.
Policia: Osmani vdiq nga alkooli e ilaçet
TIRANE – Policia e kryeqytetit pohoi dje se banori i Gërdecit Kujtim Osmani ka vdekur në mënyrë natyrale për shkak të konsumimit të tepërt të sasive të alkoolit dhe ilaçeve antidepresion. Sipas policisë 47-vjeçari Osmani është gjetur i vdekur nga familjarët e tij në banesën e tyre në Vorë, ndërsa në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalistë, ekspertë mjeko-ligjorë dhe specialistë të hetimit të krimit. “Paraprakisht nga ekspertiza e bërë nga mjeku ligjor, rezultoi se vdekja e shtetasit Kujtim Osmani është natyrale, pasi viktima njihej si përdorues i pijeve alkoolike. Ndërkohë, edhe nga deklarimet e marra nga të afërmit e viktimës, ato kanë deklaruar se, i afërmi i tyre shpesh herë pinte qetësues dhe ishte përdorues i rregullt i pijeve alkoolike. Sipas deklarimeve të dhëna nga të afërmit e viktimës, ka rezultuar se gjatë natës së datës 10 nëntor 2009, Osmani ka qenë i sëmurë pasi kishte konsumuar disa qetësues. Viktima është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë, materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprime të mëtejshme”, përfundon komunikata zyrtare e policisë. f.m.