E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje në bankë në mes të ditës

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Një grabitje spektakolare ka ndodhur mesditën e djeshme në një prej filialeve të bankës “Raiffeisen”, ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit të Fierit. Një person i vetëm, me maskë në kokë e i armatosur me një pistoletë ka arritur të realizojë grabitjen. Ndonëse shuma nuk bëhet e ditur dyshohet se ajo është e konsiderueshme, pasi nga frika e armës, arkëtaret kanë zbrazur të gjithë sirtarët. Në momentin kur grabitësi ka hyrë në filialin e bankës, aty kishte dhe disa klientë, ndërsa roja ka rezultuar se nuk ndodhej në derë, por në ambiente të tjera të bankës. “Po shisja jashtë bankës, si përditë. Nuk e pashë kur zbriti dhe nga doli, por e pashë kur hyri në derën e bankës. Në kokë mbante një kapuç të zi dhe në dorë kishte pistoletë. Sapo hapi derën bërtiti që të mos lëvizte asnjë, përndryshe ai do të vriste njerëz. Nuk e di se çfarë bëri brenda dhe sa lekë mori, por gjatë kohës që u bërtiste punonjësve ai qëlloi një herë. Pastaj nuk e pamë se si u zhduk. Ngriva në vend nga e gjithë ajo që pashë, si nëpër filma”, shprehet H.F., një grua e cila tregton përditë, ngjitur me derën e bankës. Ndërkohë, vetëm kur është larguar autori i grabitjes, punonjësit e bankës kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur kërkimin e tij. Dëshmitarët thonë se rreth orës 11:10 kur ndodhi grabitja, në bankë ndodheshin 2-3 klientë. Këta të fundit kanë deklaruar se kanë përjetuar me të vërtetë momente tmerri. “Kemi parë horror. Në fillim menduam se ishte ndonjë lojë që u bëhej punonjësve të bankës nga ndonjë i njohur i tyre. Prandaj nuk e morëm shumë seriozisht, por kur ai po vazhdonte të bërtiste dhe më pas qëlloi lart, nuk mbaj mend asgjë tjetër. Më ra të fikët nga frika”, ka deklaruar M.P, një prej klientëve që ndodhej brenda në bankë. Ajo ka treguar gjithashtu se ishte një kohë pak minutëshe kjo që ndodhi dhe përpara se autori të qëllonte kishte kërkuar lekët. Ka qenë hezitimi dhe shtangia e punonjësve ajo që ka acaruar autorin dhe që e ka bërë të qëllojë në ajër. Të trembura, arkëtaret kanë mbledhur të gjitha paratë që kishin në vendin e tyre të punës, duke ia dorëzuar grabitësit. Sapo ka marrë lekët, autori është larguar me shpejtësi. Dyshohet se atë e priste një makinë me targa belge, me të cilën ka mundur të arratiset. Policia ka marrë në pyetje rojën dhe punonjësit, ndërsa pret zbardhjen e pamjeve filmike, marrë nga kamerat e sigurisë.

Mblidhen të dhënat për autorin
Policia e Fierit pohoi dje se janë fiksuar në vendin e ngjarjes gjurmët e lëna prej grabitësit të bankës. Ndërkohë, paralel me hetuesit, grupe të gatshme policore kanë arritur të vënë e kontroll të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse në qytet, si dhe kanë nisur kërkimet fare pranë zonës ku ndodhet banka. Policia ka treguar gjithashtu, se sipas disa dëshmive të veçanta që ka arritur të mbledhë nga personat e pranishëm në bankë dhe pranë saj, autori është i moshës rreth 30-35 vjeç, me të folur të pastër, çka ka hedhur dyshimet se është nga Fieri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›