Zbulohen hajdutët e 20 makinave
Etleva Delia
Policia e Kavajës ka vënë dje në pranga hajdutët e makinave “Benz” në kryeqytet dhe katër qytete të tjera. Oficerët e Komisariatit të Kavajës kanë vazhduar operacionin e disa ditëve më parë që u zhvillua në Tiranë, të koduar “Çmontimi 2”, pas shumë denoncimeve për makina të vjedhura, kryesisht nëpër vendet e parkimit dhe ka bërë të mundur arrestimin e autorëve. Burime nga policia thanë se grupin e hajdutëve të grabitjes së makinave është edhe një vajzë 28-vjeçare. Në një njoftim për shtyp policia tha se janë arrestuar Fatmir Marku, 23 vjeç, Bledi Zefi, 26 vjeç, Elidon Sokoli (Marku), 33 vjeç dhe Irena Boduri, 28 vjeç. Në pranga kanë përfunduar edhe Nikoll Delijaj, 30 vjeç, Kujtim Fermasi, 35 vjeç dhe Alfred Krepi, 44 vjeç, të gjithë nga Shkodra. Tre të fundit mësohet se janë arrestuar nëpër banesat e tyre, pas një urdhër ndalimi nga Prokuroria e Kavajës, si bashkëpunëtorë në të paktën 20 vjedhje makinash. Personat e arrestuar sipas policisë dyshohet se në kohë dhe vende të ndryshme të Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit dhe Shkodrës kanë vjedhur të paktën 20 automjete tip “Benz”. Këto raste janë dokumentuar tashmë dhe makinat e pjesë prej tyre janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provave materiale dhe po hetohet për zbulimin e rasteve të tjera. Sipas burimeve nga policia të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin realizonin vjedhjet e makinave në qytetet e lartpërmendura, por dyshohet edhe në qytete të tjera dhe më pas i transportonin ato në Shkodër, Kavajë dhe Fier në servise të miqve të tyre. Nëpër këto servise ata i çmontonin makinat e vjedhura dhe më pas shisnin si pjesë këmbimi. Katër prej të arrestuarve janë kapur në flagrancë, duke tentuar të vidhnin automjete përgjatë segmentit rrugor Golem-Kavajë. Menjëherë pas arrestimit të tyre policia e Kavajës ekzekutoi urdhrat e ndalimit të prokurorisë edhe për tre personat nga Shkodra, të dyshuar si bashkëpunëtor të katër të së arrestuarve. Paraprakisht janë dokumentuar vjedhjet e një makine “Benz” me targë KJ 0687 A, në Rrogozhinë, automjeti me targë BC 695 CG dhe EL 1227 C, të vjedhura në Elbasan. Burimet sqaruan se po punohet për dokumentimin e të gjitha rasteve të tjera të dyshuara.
TE ARRESTUAR
1. Fatmir Marku, 23 vjeç, nga Shkodra
2. Bledi Zefi, 26 vjeç, nga Vau i Dejës
3. Elidon Sokoli (Marku), 33 vjeç, nga Shkodra
4. Irena Boduri, 28 vjeçe, nga Dibra
5. Nikoll Delijaj, 30 vjeç, nga Shkodra
6. Kujtim Fermasi, 35 vjeç, nga Shkodra
7. Alfred Krepi, 44 vjeç, nga Shkodra