E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave për shqiptarët, në etapën e fundit të procesit

Zëvendëskryeministrit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u përgjigjet interesimit të deputetëve lidhur me progresin e shënuar në heqjen e regjimit të vizave për të gjithë qytetarët, në një afat sa më të shkurtër “Jemi në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave”. Këtë e ka bërë të ditur Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, gjatë interpelancës së tij para deputetëve, mbrëmjes e së enjtes. Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve mbi progresin e bërë për liberalizimin e vizave, Meta saktësoi se, falë sensibilitetit dhe rëndësisë historike që ka liberalizimi i vizave “e gjithë vëmendja, energjitë, dhe angazhimi janë përqendruar në etapat e fundit të këtij procesi”. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, në përgjigje të interesimit të deputetëve, ka dhënë sqarime edhe pse, Shqipëria nuk u përfshi në listën e tre vendeve (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni), të cilat përfituan liberalizimin e vizave në dhjetorin e kaluar Pse Shqipëria nuk u përfshi në listën e tre vendeve (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni), të cilat përfituan liberalizimin e vizave në dhjetorin e kaluar (2009)?Pyetja që ju shtroni se përse Shqipëria nuk ishte në listën e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor (Serbi, Mali i Zi, dhe Maqedoni) të cilët përfituan nga liberalizimi i vizave, kërkon një përgjigje sa komplekse në terma teknikë aq edhe të thjeshtë në kontekstin politik dhe historik. Më lejoni t’i parashtroj më konkretisht dhe në një rrafsh më praktik këto dy aspekte, sepse jo rrallë herë opozita ka spekuluar me këtë çështje duke dashur të fitojë artificialisht kapital politik. Ajo çfarë duhet të theksohet që në fillim është fakti që liberalizimi i  vizave është një proces i cili kurorëzohet me plotësimin e plotë të një sërë kriteresh rigoroze të specifikuara në atë çfarë quhet “udhërrëfyesi” i Komisionit Evropian. Praktikisht këto kritere kategorizohen në 4 blloqe, ku i pari ka të bëjë me një nga elementët më kryesorë të udhërrëfyesit, atë të sigurisë së dokumenteve, ku rolin primar e zë prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Pra, pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike ishte dhe është parakusht për liberalizimin e vizave në hapësirën “Schengen”. Në raundin e vlerësimeve të para në maj 2009, Komisioni Evropian konsideroi se Shqipëria kishte bërë progres, por gjithashtu evidentoi disa sektorë ku nevojitej përparim i mëtejshëm. Një nga detyrimet kyçe për t’u plotësuar ishin prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike, për të cilat puna filloi relativisht me vonesë për shkak të periudhës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ku e gjithë vëmendja ishte përqendruar në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Kështu, sa për t’ia rifreskuar memorien e shkurtër politike opozitës aktuale, më duhet të rikujtoj se viti 2009 ishte një vit elektoral ku fokusi kryesor i politikës ishte pjesëmarrja në votime dhe me të drejtë e gjithë vëmendja ishte te prodhimi i kartave të identitetit, si kusht për votimin në zgjedhjet e përgjithshme. Për rrjedhojë, deri në mesin e vitit 2009 e gjithë infrastruktura ishte në shërbim të plotë të prodhimit të kartave të identitetit për të arritur mbulimin e të gjithë qytetarëve që kishin të drejtë vote dhe që nuk kishin pasaportë të vlefshme. Ne arritëm të prodhonim një numër simbolik pasaportash biometrike në muajt maj qershor 2009, por që kurrsesi nuk përmbushte detyrimin e bllokut 1 në atë masë që ai është realizuar sot. Ndaj pritshmëritë tona për vlerësimin e Komisionit Evropian më 15 korrik 2009 për liberalizimin e vizave ishin realiste, kur dhe u bë propozimi zyrtar për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat përfituan nga lëvizja e lirë më 19 dhjetor 2009. Objektivisht, në këtë proces ishim shumë larg tre vendeve të tjera të rajonit të cilat kishin vite që lëshonin pasaportat biometrike. Nga ana tjetër, konteksti i ndryshëm historik dhe përvoja e veçantë e Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit në drejtim të lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve të Europës Perëndimore, dëshmon pikënisjen e ndryshme që ne patëm në këtë proces me dimension rajonal dhe vetëshpjegon më së miri arsyet që ndikuan në mospërfshirjen e Shqipërisë në raundin e parë të liberalizimit. Praktikisht, qytetarët e Maqedonisë, Serbisë apo Malit të Zi, dikur si pjesë e Federatës së Jugosllavisë lëviznin lirshëm në të gjithë Europën, madje ata edhe mund të punësoheshin atje, ndërkohë që ne na duheshin “viza” për të lëvizur brenda qyteteve tona. Në përfundim të përgjigjes së kësaj pyetje, nëse do më duhej ta ilustroja në mënyrë metaforike, do të thosha që procesi i liberalizimit të vizave i ngjason një gare ku ka një fillim (start) dhe një mbarim (finish). Tashmë ia vlen të theksohet fortë dhe është shumë inkurajuese për të gjithë që Shqipëria edhe pse nuk kishte start të njëjtë me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, me “sprintin” e saj shumë të shpejtë në këto muajt e fundit po i afrohet finishit (heqjes së vizave) kaq shumë të mirëpritur nga qytetarët shqiptarë.  A mund të na thoni progresin e bërë deri tani në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave në kuadër të plotësimit të kritereve të udhërrëfyesit të Bashkimit Europian?Duke marrë në konsideratë kontekstin historik dhe zhvillimet politike në Shqipëri dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian vendosi të ndërtojë një proces të qartë, të matshëm dhe konkret për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet tona. Për këtë, u hartua një Udhërrëfyes, i cili u dorëzua zyrtarisht në qershor 2008. Siç e përmenda pak më parë Udhërrëfyesi është i ndërtuar në katër blloqe detyrimesh: Siguria e Dokumenteve; Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi; Rendi publik dhe siguria; Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore. Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një proces komunikimi konstant me Komisionin Europian, ku pala shqiptare ka dorëzuar informacion të përditësuar për shkallën e përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit (shtator 2008, janar 2009, tetor/nëntor 2009, janar 2010). Të dhënat e paraqitura nga ne verifikohen nga grupe ekspertësh, të cilët zhvillojnë takime në terren dhe ballafaqojnë vërtetësinë e të dhënave dhe japin rekomandime për përmirësime të mëtejshme. Që nga shtatori 2009 dhe në vazhdim, siç u theksua dhe më lart, për vetë sensibilitetin dhe rëndësinë historike që liberalizimi i vizave ka për qytetarët tanë e gjithë vëmendja, energjitë, dhe angazhimi janë përqendruar në etapat e fundit të këtij procesi, i cili po zhvillohet njëkohësisht në tre drejtime. Së pari, në angazhimin institucional në vend me fokus zbatimin e të gjitha detyrimeve që përmban udhërrëfyesi; Së dyti në zhvillimin e dialogut me strukturat e BE-së, Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian; Së treti në marrëdhëniet me vendet anëtare, të cilave iu bëhen gjithashtu me dije të gjitha arritjet tona në këtë kuadër. çfarë mbetet akoma për t’u bërë deri në finalizimin e procesit dhe në terma praktikë çfarë përfitimesh do të sjellë liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë? Tashmë jemi në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave e cila në ditët e ardhshme do të vijojë me  zhvillimin e dy misioneve të vëzhgimit për bllokun 2 (kufijtë, migracioni) në datat 22-25 shkurt dhe bllokun 3 (siguria, lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve, antikorrupsioni) në datat 8-12 shkurt 2010. Po kështu ne jemi duke punuar për vazhdimin e fushatës sensibilizuese për liberalizimin e vizave, për çfarë nënkupton ky proces dhe çfarë përfitimesh sjell ai për qytetarët shqiptarë, çfarë do të duhet të dinë qytetarët shqiptarë përpara se të udhëtojnë jashtë vendit, etj. Në këtë frymë, ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë shqiptare, në mënyrë që ky proces historik të mbyllet me sukses. Padyshim, shembja e “murit Shengen” për shumë shqiptarë do të shënojë një çlirim të madh nga një “ngarkesë psikologjike” që ka mbajtur peng ëndrrën e disa brezave për të lëvizur lirshëm në Europë, si dhe do t’u jepte një të drejtë të merituar, ashtu siç e gëzojnë qytetarët europianë.  Kështu që, në fund të fundit unë mendoj se “listën më të plotë” të përfitimeve, zhvillimeve dhe energjive pozitive që çlirohen nga liberalizimi i vizave më mirë se kushdo do ta bënte qytetari që deri dje me ankth priste me orë dhe ditë të tëra për marrjen e një vize për të takuar të afërmit e tij, (edhe këtë nëse e merrte), dhe nesër do të mund të lëvizë lirshëm jo vetëm për të shuar mallin me to por edhe për të shijuar vlerat turistike dhe kulturore europiane....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›