E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH për shërbimet profesionale

Tatimi i ri

Qeveria shqiptare ka vendosur të detyrojë ofruesit e shërbimeve profesionale si noteri, avokati, konsulencë financiare etj., të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Për pasojë, konsumatorët do të përballen me një tjetër valë rritjesh të çmimeve në treg, sa herë që të kërkojnë një shërbim noterie, të shkojnë për vizitë te mjeku, apo edhe bizneset që do të kërkojnë konsulencë ligjore ose fiskale. Ministria e Financave, e cila muajt e fundit ka ndërmarrë një sërë rritjesh të taksave për të lehtësuar gjendjen e vështirë të buxhetit, këtë herë ka vendosur të përfshijë në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset e kategorizuara si profesione të lira, pavarësisht xhiros që ata kryejnë.
Burime nga Ministria e Financave thanë për “Top Channel”, se të gjitha bizneset “profesione të lira” do të jenë të detyruara t'ua faturojnë me TVSH shërbimet që ata u japin qytetarëve, çka sjell automatikisht një rritje me 20 për qind të çmimeve. Shumica dërrmuese e kostos së këtyre shërbimeve nuk janë të përfshira tek Indeksi i çmimeve të Konsumit e për rrjedhojë, as nuk llogariten si pjesë e inflacionit.
Kjo do të thotë se nëse një vizitë te mjeku kushton aktualisht 2 mijë lekë, me hyrjen në fuqi të skemës së re, çmimi shkon automatikisht 2400 lekë dhe të gjithë barrën e kësaj rritjeje do e mbajnë qytetarët.
Burime nga financat thonë se sipas të gjitha gjasave, taksa e re pritet të hyjë në fuqi në mes të vitit, dhe duket se nuk do të jetë rritja e vetme e taksave. Që pas shenjave të para për rrudhjen e të ardhurave në buxhet, gjatë vitit 2008, qeveria nisi të aplikojë një skemë taksimi të fshehtë duke operuar me rritjen e taksave indirekte që në thelb duket se vendosen për biznesin, por janë faturë për konsumimin e qytetarëve pasi reflektohet drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimeve.Të tilla qenë rritja e akcizës, referencat për punonjësit, referencat për doganat, pagat apo tarifat e rritura për çdo transaksion si në rastin e shitjes së shtëpive.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›