Ndotja nga Fabrika e Çimentos, protestojnë banorët e dy fshatrave në Fushë-Krujë
FUSHË-KRUJË - Banorët e dy fshatrave Zallë dhe Kadias në Fushë-Krujë kanë protestuar sërish ndaj ndotjes që po shkakton sipas tyre fabrika e Çimentos. Mëngjesin e djeshëm ata kane bllokuar rrugën hyrëse drejt fabrikës, duke mos lejuar asnjë automjet të saj të hyjë në mjediset e brendshme. Si pasojë dhjetëra makina të Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë kanë mbetur për orë të tëra të bllokuara, pa mundur të futen në mjediset e brendshme. Banorët e Zallës dhe Kadias kërkuan mbylljen e veprimtarisë së fabrikës, pasi sipas tyre tymi që del nga fabrika dhe gazrat që lëshon TEC-i saj ka shkaktuar ndotje të ajrit, dëmtim të shëndetit dhe dëmtim të mbjellave. Banorët shpjeguan se firma që posedon fabrikën e çimentos u kishte premtuar atyre, banesa në zona të tjera dhe kompensim në para për ilaçet që ata blejnë për problemet shëndetësore si pasojë e ndotjes. Kjo nuk është hera e parë që këta banorë kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar para 1 viti. Vetëm 1 muaj më parë, ata paralajmëruan si reagimi i tyre do të përshkallëzohej në protesta të vazhdueshme që do të bllokonin punën e fabrikës.
Bie zjarri, shkrumbohet farmacia pranë Institutit të Kamzës
TIRANE- Një farmaci është shkrumbuar tërësisht nga zjarri pranë Institutit të Kamzës në Tiranë. Ngjarja mësohet se ndodhi dje në orët e para të mëngjesit. Një grup hetimor mbërriti në vendngjarje për të nisur mbledhjen e provave që do çojnë në zbulimin e shkaqeve. Të dhënat e para bëjnë të ditur se zjarri mund të ketë prejardhjen nga një defekt në kondicioner. Nuk dihet ende saktë se sa është vlera monetare e dëmit të shkaktuar ndërsa mësohet se farmacia “Shehu” ishte e madhe dhe të gjitha materialet që ndodheshin në të janë shkrumbuar tërësisht.
5 Qershor 2009