E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi mbledh liderët e rajonit, Sejdiu pa ftesë

 

Pas Maqedonisë, “ga-fën” e radhës me mungesën e një ftese për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu në një takim të liderëve të rajonit e bëri Mali i Zi. Takimi organizohej nga UNESCO, ndërsa pjesë e tij ishin vetëm shtetet anëtare të OKB-së. Të gjithë presidentët e tjerë të vendeve të rajonit kishin ftesën zyrtare nga Podgorica: Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti i Bullgarisë, Georgi Pervanov, Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, dhe kryesuesi i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Nebojsa Radmanoviç. Në takimin “Diversiteti i pasurisë kulturore-menaxhimi dhe promovimi turistik” ishin të pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Koiciro Macura dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Dawis. Presidenti Bamir Topi kujtoi në samit se duhej të ishte ftuar edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, meqë Mali i Zi e kishte njohur atë si shtet. Zëdhënësi i presidentit, Sejdiu, Xhavit Beqiri, komentoi për “KosovaLive” se për të qenë pjesëmarrëse në takimet që organizon UNESCO, duhet të jesh një vend anëtar i OKB-së dhe “kjo mungesë ftese për Presidentin e Kosovës nuk është e karakterit politik”. Presidenti malazez, Filip Vijanoviç mori kritika nga partitë shqiptare “Unioni Demokratik Shqiptar” dhe “Alternativa Shqiptare në Mal të Zi” për mungesën e Sejdiut. Megjithatë, Presidenti Vujanoviç e argumentoi për gazetarët se Presidenti Sejdiu, nuk është ftuar në Samit, pasi ai është organizuar në bashkëpunim me UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës dhe se ato kanë rregullat e tyre. UNESCO është organizatë e specializuar e OKB-së dhe Kosova nuk është anëtare e saj. “Ne jemi të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me Kosovën, por kemi përfillur rregullat e UNESCO-s, e mbi këtë bazë Samiti do të mbahet në përbërjen e paralajmëruar”, tha kreu malazez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›