E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Burri shtyu gruan në vetëvrasje"

TIRANE - Arrestohet nga policia personi i dënuar nga Gjykata e Tiranës me akuzën se, shtyu gruan drejt vetëvrasjes. 

Tomorr Merja 44 vjeç, banues në Kombinat, është arrestuar nga policia pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Prokuroria, me akuzën se ai ka shtyrë në vetëvrasje gruan e tij. Ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës më 3 dhjetor të vitit të kaluar, me 1 vit e katër muaj burg. I akuzuari është gjetur nga gjykata fajtor, për vetëvrasjen e ish-bashkëshortes së tij Ornela Merja më 21 prill të vitit të kaluar. Shkak për vetëvrasjen e gruas, sipas vendimit të gjykatës, ka qenë keqtrajtimi i vazhdueshëm nga bashkëshorti i saj, për shkak të xhelozisë. Sipas policisë, gruaja është vetëvarur në një prej dhomave të shtëpisë së tyre në rrugën "Hamdi Cenoymeri", për shkak se dhuna e të dënuarit ndaj saj ka qenë e vazhdueshme. Gruaja disa herë ishte drejtuar për të denoncuar të shoqin në komisariatin e policisë, por ishte tërhequr për shkak të lutjeve të vazhdueshme të bashkëshortit, për të tërhequr kallëzimin dhe premtimeve se situata do të ndryshonte. Grindjet mes tyre kanë nisur që pas lindjes së parë, për shkak se Tomorri, vazhdimisht ishte xheloz dhe ushtronte dhunë fizike dhe psiko-logjike mbi të shoqen. Dhuna ka ardhur duke u shtuar deri sa më 21 prill, në orën 18:00 gruaja u gjet e vetëvarur në dhomën e shtëpisë së saj. Policia nisi hetimin, ndërsa zbuloi se motiv i vetëvrasjes kishte qenë dhuna e ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›