“Ju tregoj çastet kur varrosnim nënën e Nanos në errësirë e shtetrrethim”
AFRIM IMAJ
“Nuk e meritonte një zonjë e nderuar si Marie Nano, për ta përcjellë në banesën e fundit, në errësirën e natës e në kushtet e shtetrrethimit. Po ja që kështu ndodhi. Ndëshkimi i pa dëgjuar erdhi vetëm, pse i biri ishte kundërshtari politik i presidentit të vendit”Viktor Agolli, njeriu që për 15 vjet ka qenë i besuari i familjes Nano, e veçon këtë si një nga ngjarjet më të dhimbshme që ka përjetuar gjatë kohës kur bënte truprojën e liderit historik të PS-së. Në vazhdim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, ai tregon mënyrën se si është siguruar leja për të sjellë Nanon në funeralin e së ëmës, kur ishte në burgun e Bënçës, përpjekjet e autoriteteve zyrtare për ta izoluar nga mjedisi publik përcjelljen e saj, ndjekjen brutale të forcave të rendit të riteve mortore në varrezat e Sharrës dhe deri te arrestimet, që u bënë atë natë simpatizantëve të së majtës. Ndërkaq, Agolli teksa u referohet disa nga emrave të padëgjuar, të cilët gjatë ditëve të burgut të liderit historik, kanë bërë të pamundurën për t’i ardhur në ndihmë, ka dëshirë të vërë në vëmendje të opinionit faktin, që shefi i tij e ka të vështirë të kthehet te dashuritë e para...
Pas dënimit Nano u transferua nga 313 në burgun e Bënçës...
Në burgun e sigurisë së lartë të Bënçës shefi kreu pjesën më të madhe të dënimit. Prej aty realizoi madje, edhe drejtimin e partisë, nëpërmjet kontakteve me liderët e lartë të së majtës. Çfarë ndodhte me të në qeli informoheshim rregullisht nëpërmjet miqve të tij. E vërteta është se aty ai u ambientua menjëherë me kushtet e qelisë. Pasioni për të lexuar dhe tipi sportiv që e kishte karakterizuar gjithnjë, i dhanë dorë shumë për të kaluar dit-netët e izolimit. Mjafton të kujtojmë këtu faktin që bënte rreth 12 kilometra vrap në ditë vetëm nëpërmjet hapësirave të ngushta të qelisë. Natyra e veçantë që kishte në komunikim, i kishin krijuar mundësinë për të bërë për vete disa nga drejtuesit e burgut. Mbaj mend sidomos lidhjet e fshehta të tij me njërin nga drejtorët e burgut që ishte nga Memaliaji, i cili me mënyra të tërthorta bëri shumë për ta lehtësuar nga privimet e një të dënuari në kushtet e izolimit të plotë. Nëpërmjet tij arriti të mbajë lidhje me liderët e tjerë dhe familjarët. Po kështu kjo miqësi e fshehtë i krijoi lehtësira të tjera në krijimin e kushteve normale të jetesës.
Cilët ishin njerëzit që kontaktonin në atë periudhë me Fatos Nanon në burg?
Të parët familjarët, pastaj krerët e PS dhe miq të veçantë të shefit, që kujdeseshin për jetesën e tij në kushtet e izolimit.
Më kujtohet sidomos angazhimi gati i përditshëm i Tim Sheqerit dhe Gaz Demit për t’u informuar për gjendjen e shefit e për t’i dërguar atij materiale e ushqime të domosdoshme...
Tim Sheqeri e Gaz Demi, me sa dimë, nuk kanë qenë pjesë e lidershipit të PS-së...
Ata vërtetë që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së, por ishin ndër shokët e afërt të Nanos. Me ta jam njohur qysh ditët e para, që shkova te shefi dhe qysh atëherë kam dalluar marrëdhëniet e ngushta që kishin. I besonin shumë njeri-tjetrit dhe shumë herë e pinin kafen bashkë. Kalonin shpesh orë të tëra, duke luajtur apo duke darkuar në lokale të ndryshme. Shoqëria midis tyre kishte lindur shumë herët. Tim Sheqeri kishte qenë një shokë i fëmijërisë, njëri nga komshinjtë e shefit, kur jetonte te shtëpia e vjetër në rrugën “Hoxha Tasin”. Kishte kaluar disa vite burg në vitet e komunizmit dhe kishte marrë kartën e të përndjekurit politik. Ndërkaq, Gazi me sa më kujtohet kishte qenë një nga studentët e tij dhe miqësia kishte nisur qysh atëherë kur ndanin raportet pedagog-student...
Megjithatë, opinionit i ka rënë në sy, që Gaz Demi pas daljes së Nanos nga burgu nuk është parë më në krahë të tij...
Pati një periudhë që marrëdhëniet e tyre u ngrinë, po me sa di unë miqësia e tyre u rivendos përsëri dhe aktualisht, janë kthyer në ditët më të mira të shoqërisë së tyre.
Dini gjë përse është konfliktuar Nano me Gaz Demin?
Ato kanë qenë marrëdhënie private midis shokësh dhe si çdo marrëdhënie e tillë ka zigzaget e veta. Unë isha thjesht truproja e shefi nuk kishte pse më shpjegonte rrethanat, në të cilat prishej e ndreqej me shokët e miqtë e tij. Pastaj mos harroni që Nano është një natyrë e veçantë në raportet me të njohurit. Zë miq shpesh, krijon mjedis interesant për ta, por edhe shpjet mund të konfliktohet për arsye nga më të ndryshmet, për të cilat shumëkush nuk mund ta braktiste shoqërinë. Më shkoqur, shefi ka prirjen për mos të mbajtur miq të përhershëm...
Ju jeni një nga të njohurit e hershëm të tij, çfarë nënkuptoni me faktin, që ai nuk mban miq të përhershëm...
Desha të them që Fatos Nano është nga ata njerëz, që ka një mënyrë të funksionari ndryshe nga të tjerët. Nuk ka barriera për ata që do t’i mbajë si miq. Ndërkaq, nuk heziton aspak të harrojë ata, që mendon se janë të padobishëm në një rrethanë të caktuar. Dikur në fillimet e demokracisë, Nano u gjend në rrethin e ngushtë të një grupi intelektualësh, me të cilët ndau përpjekjet e jashtëzakonshme për të konturruar të majtën. Kishte pranë Servet Pëllumbin, Luan Hajdaragën, Sabit Brokajn, Namik Doklen, Arta Daden, Musa Ulqinin, Fatmir Kumbaron etj. Me kalimin e viteve miqësia pësoi disa herë ulje-ngritje, përplasje, qejfmbetje e ngërçe të ndryshme. E njëjta gjë ndodhi edhe me grupin e të rinjve Ilir Meta, Ndre Legisi, Pandi Majko etj. U investua shumë për ta, bashkëpunoi ngushtë me ta dhe aktualisht kanë mbetur në ato pozita që tashmë dihen. Mjafton ky qëndrim ndaj njerëzve publik, për të kuptuar marrëdhëniet me të tjerët, me ata që i kanë qëndruar pranë në ditët më të vështira, me rrethin e truprojave, me komshinjtë, shokët e shkollës, miqtë, krushqit, etj...
A e pranoni ju si një ves të shefit tuaj, mënyrën si i braktis ai njerëzit?
Absolutisht që në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një ves të tij. Nano nuk vuan nga komplekse, nuk shtiret për t’i qëndruar besnik një lidhje të dikurshme në rrethana të caktuara, nuk i sheh njerëzit të ngrirë në të mirë e të këqij një herë e përgjithmonë. Për të, thashë, nuk ka miqësi të përjetshme. Mënyra si funksionon e ka bërë disi të çuditshëm në këtë sjellje, madje në mjaft raste njerëz të ndryshëm, ja quajnë këtë mungesë mirënjohje e megalomani. Po, në fakt nuk është e tillë...
Nejse, të kthehemi te periudha e burgut të Bënçës...
Tim Sheqeri dhe Gaz Demi ishin dy nga miqtë e ngushtë që nuk iu ndanë edhe aty. Me makinën që kishte Timi rrugëtonin shpesh në drejtim të Tepelenës dhe vendosnin kontakte me shefin. I çonin çfarë i nevojitej me mënyrat e tyre klandestine dhe ktheheshin në Tiranë. Në Tepelenë kishin krijuar një bazë sekrete, e cila nga fillimi e deri sa shefi doli nga burgu, u bë si streha jonë. Ishte zemërgjerësia dhe guximi i pronarit të saj Bashkim Pata, i cili njëherazi me shërbimin për klientët në bar kafe, aty te kthesa e rrugës në hyrje të qytetit, bënte “menaxherin” e përpjekjeve për të lehtësuar Nanon e prangosur. Pikërisht për këtë i është dashur mjaft herë të përballet me egërsinë e njerëzve të policisë, që e ndiqnin këmba-këmbës. Ky represion është ushtruar ato ditë edhe ndaj Gaz Demit, që shumë herë arrinte të shpëtonte, duke u fshehur në shtëpinë e Timit. Karta e të përndjekurit politik, që kishte ky i fundit, e bënte policinë të nguronte për të trokitur në shtëpinë e tij...
Cilën do të veçoni nga ngjarjet kur Nano ishte banor i qelive të Bënçës?
Koha kur shefi vuante dënimin aty, është shoqëruar me mjaft ngjarje kritike. Dikur e kam dëgjuar që ka thënë se do t’i hedhë në një libër kujtimet nga ditë-netët e Bënçës. Padyshim që do të jetë një libër interesant. Megjithatë për mua ngjarje dramatike ka qenë mbërritja nga burgu i Bënçës në varrimin e nënës.
Ajo leje e shumëpritur nga zyrtarët e Berishës, më në fund qetësoi miqtë e të afërmit e shefit, që prisnin në ankth praninë e tij në përcjelljen e të ëmës.
Pra, Berisha urdhëroi për ta lejuar Nanon në varrimin e të ëmës...
Lajmi për vdekjen e nënës së shefit na tronditi të tërëve. Fakti që ai vuante dënimin në Bënçë, e bënte edhe më të rëndë situatën. Opinioni atëherë, por edhe tani e di se Berisha sa e ka marrë vesh, është interesuar për të siguruar pjesëmarrjen e tij në ceremoninë mortore në Tiranë. Në fakt, nuk ka qenë kështu e vërteta. Berishës që atëherë ishte president, as që i shkonte në mëndje për të ndërmarrë një veprim të tillë. Ka qenë ndërhyrja e ambasadës amerikane në Tiranë ajo, që mundi të siguronte një leje për Nanon për të marrë pjesë në varrimin e të ëmës. Një leje në momentet e fundit edhe kjo. Gjithsesi, shefi mbërriti në shtëpi në kohën, që kishte filluar të errej. Ishte kjo vonesë, e cila u bë shkak që varrimi të bëhej gati natën dhe nën masa të rrepta sigurie...
Pse natën është bërë varrimi i nënës së Nanos?
Ceremonia mortore ka përfunduar kur në Tiranë ra muzgu, madje kur u kthyem në shtëpi ishte errësirë e plotë. Frika që kishin autoritetet zyrtare nga protestat spontane, i shtyu të zvarrisnin procedurat për të vonuar përcjelljen e përmotshme të nënë Maries. Më shumë se kaq, strategjia e tyre ishte ndërtuar në mënyrë të tillë për të pasur nën kontroll tërë detajet e ceremonisë. Na është dashur atë mbrëmje të përballemi me forcat e shumta të policisë, të cilat nuk lejuan që kortezhi të kalonte nga Sheshi “Skënderbej”, siç binte drejtimi i rrugës, por pa u futur në qendër na devijuan përdhunshëm, për të kaluar nga Ushtari i Panjohur e për të vazhduar pastaj në unazë. Madje “përkujdesja” kishte qenë e tillë, sa që i gjithë rrugëkalimi për në varreza ishte blinduar pëllëmbë e polic. Më tej, i gjithë territori i Sharrës dhe rrethinave përqark ishte futur në darën e një shtetrrethimi të vërtetë, ku njerëz të armatosur vigjilonin nga të gjitha anët. Ja kështu e përcollëm nënën e gjorë nëpër errësirë e nën tytat e armëve...
Çfarë ju kujtohet nga momenti i daljes së Nanos nga burgu?
Ishin rrëmujat e pranverës ‘97. Kaosi i jashtëzakonshëm rrezikonte seriozisht jetën e shefit që vuante dënimin në Bënçë. Ky u bë ankthi i familjarëve, por edhe i tërë simpatizantëve të së majtës. Prezantimi i shqetësimit në ambasadën amerikane, bëri të mundur transferimin e tij nga Bënça në burgun e sigurisë 313. Po me pështjellimet kaotike që erdhën edhe në Tiranë, përsëri lindi shqetësimi për jetën e tij...
A e mbani mënd si e la Nano qelinë e 313 në ‘97-ën?
Në ato ditë rrëmuje tentova bashkë me vëllain për të shkuar e për ta nxjerrë nga qelia ku rrinte. Në Tiranë, pas hapjes së burgjeve nga kolapsi, që u krijua me rënien e shtetit, ishte hapur fjala se Fatos Nano e Ramiz Alia nuk pranonin të dilnin nga burgu, si gjithë të dënuarit e tjerë që braktisën qelitë përdhunshëm, duke shfrytëzuar kaosin e jashtëzakonshëm. Teksa do të niseshim për te 313-ta morëm vesh se atë e kishin nxjerrë me një ambulancë. Nuk lashë gjë pa bërë atë natë për t’u takuar me shefin, por ishte e pamundur. Njerëz të afër të tij e kishin çuar në një bazë sekrete në pritje të zhvillimeve të reja...
Çfarë mbani mend nga takimet e para pas daljes së Nanos nga burgu?
Njerëzit që vinin dhe e takoheshin i bënin presion për të burgosur Berishën, por befasoheshin kur konstatonin hezitimin e tij. Çuditërisht argumentet për këtë sipas rasteve, i jepte të ndryshme. Kur ia kërkonin këtë militantët e veteranët, shefi u justifikohej me faktin, që një prangosje e Berishës do ta bënte atë hero. Ndërkaq i gjendur në të njëjtat rrethana gjatë takimeve me intelektualët, u shpjegonte me durim se një kryqëzim i tillë nuk do të ishte gjë tjetër, por një revansh antidemokratik. Gjithsesi, ai besonte te ndëshkimi që Berishës do t’i jepte vota e popullit....
vijon nesër...
Nano katër ditë i humbur në trazirat e ‘97-ës
Njeriu që e ka ndjekur nga afër për 15 vjet pandërprerë liderin historik të së majtës, kujtohet se në një rast shefi i ka humbur për katër ditë me radhë. Është befasuar e tronditur jashtë mase kur i kanë humbur gjurmët e tij dhe ka pritur me ankth deri sa është takuar rishtas me të. Pesëdhjetëvjeçari Agolli thotë se menjëherë pas daljes nga burgu 313, Nano ka udhëtuar në kushte ilegaliteti jashtë Tiranës. Ideja e një goditje të mundshme, e ka shtyrë për të gjetur një strehë të fshehtë larg syve të njerëzve.
Njeriu që ja ka siguruar këtë, ka qenë një ish-oficer i forcave speciale të policisë, i cili i ka ofruar mjediset e familjes së tij në Spille të Kavajës. “Aty Nano, shton Agolli ish-truproja besnike e tij, është ndjerë jo vetëm i sigurt, por edhe i qetë nën shoqërinë e prindërve dhe të afërmve të Astrit Mërtirit.” E veçon këtë fakt Agolli për t’u kthyer te preokupacioni i tij për të zbardhur kontributet e njerëzve të thjeshtë, që i ofruan Nanos mbështetje në ditët më të rrezikshme për të.
neser do te lexoni
Rrëfimi i truprojës Agolli për mënyrën si e ka përjetuar divorcin të Nanos me Rexhinën Çastet e gostisë te Mak Albania gjatë dasmës së dytë të liderit historik të PS Arratia e Nanos në kulmin e trazirave në ditën e varrimit të Azem Hajdarit. Të pathënat e takimit të fshehtë midis truprojave të Berishës e Nanos në krizën e ‘97-ës. Kontaktet e Nanos me vajzën dhe djalin pas divorcit dhe interesimi i tij për të atin Thanasin. Manitë e Nanos për jetën e natës dhe lokalet e preferuara të tij në Tiranë