“Melanzhi” Suedia do të na asgjësojë stokun e raketave ruse
Marrëveshja / 30 mijë litra stok toksik do të shkatërrohen në Suedi
Rreth 30 mijë litra stok toksik të përbërësve të karburantit të raketave të prodhimit rus “Melanzhi”, që ndodhen në Shqipëri që nga koha e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik, do të eksportohen dhe më pas do të shkatërrohen në Suedi. Projekti do të realizohet edhe me përfaqësimin e ekspertëve ushtarakë shqiptarë
Një javë pas prezantimit përpara trupit diplomatik të plan-veprimit mbi asgjësimin dhe shkatërrimin e municioneve të tepërta në Shqipëri, i cili parashikon që në vitin 2010 rreziku nga municionet për popullatën të jetë reduktuar në zero dhe brenda vitit 2015 e gjithë sasia e municioneve të tepërta të jetë eliminuar, ka ardhur edhe mbështetja e parë, e cila është ofruar nga OSBE-ja. Rreth 30 mijë litra stok toksik të përbërësve të karburantit të raketave të prodhimit rus “Melanzhi”, do të eksportohen dhe më pas shkatërrohen në Suedi. Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe ambasadori i radhës i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, nënshkruan marrëveshjen teknike për asgjësimin e stokut të raketave ruse, të cilat ndodhen në vendin tonë që në kohën e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik. Pjesë e marrëveshjes është edhe kompania suedeze “SAKAB AB”, kompani që do të merret me zbatimin e këtij projekti.
Sasia e përgjithshme e këtij stoku toksik do të jetë afërsisht 30 mijë litra, të cilët do të eksportohen për shkatërrim në Suedi. Ndërkohë, me një eksperiencë të gjerë në fushën e shkatërrimit të municioneve do të jenë ekspertët shqiptarë të cilët në bashkëpunim me ekspertët e kompanisë suedeze, do të realizojnë shkatërrimin e stokut të raketave. Projekti do të nisë nga puna menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe do të zgjasë 6 muaj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Oketa, duke falënderuar përkrahjen dhe mbështetjen që i jep ambasadori Bosh, është shprehur nga ana e tij se “arritja e kësaj marrëveshjeje do të mundësojë asgjësimin e 30 mijë litra “melanzh”, i cili është një kimikat i rrezikshëm”. “Jam i sigurt se do të jetë një projekt i suksesshëm, i cili do të kryhet brenda një harku kohor në më pak se 6 muaj dhe asgjësimi i kësaj lënde toksike do të transportohet e më pas asgjësohet në një vend të sigurt", - pohoi ministri Oketa.
Sakaq, nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së, Bosh, tha se “OSBE-ja është aktive në shkatërrimin e municioneve në një rajon shumë të gjerë. Ky është hapi i parë i ardhjes në ndihmë të Shqipërisë për shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme, dhe unë do të doja të falënderoja vendet anëtare të OSBE-së që e mundësuan këtë ndihmë, si Greqia, Finlanda, Suedia etj.”
Projekti për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzhi”, është vazhdim i një sërë projektesh tashmë të përfunduara me sukses nga Ministria e Mbrojtjes. Në vitin 2001 në Shqipëri nëpërmjet një projekti të përbashkët të qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, në vendin tonë u shkatërruan rreth 20 tonë kimikate të rrezikshme, të cilat kanë qenë përdorur për qëllime stërvitore nga Forcat e Armatosura. Ky proces u realizua nëpërmjet projektit “VETOXA”. Gjatë vitit 2007, Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet programit Nunn & Lugar, në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, arriti të shkatërronte 17 tonë agjentë kimikë shumë të rrezikshëm. Një përpjekje tjetër serioze e Forcave të Armatosura në drejtim të zvogëlimit të sasisë së stoqeve të kimikateve janë edhe dërgimi i rreth 1.5 tonë cianureve, gjatë këtyre ditëve për t’u shkatërruar në Angli, përmes një projekti të realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Reduktimit të Kërcënimeve të Mbrojtjes të SHBA-së.
Shifra
30 mijë litra stok toksik të përbërësve të karburantit të raketave të prodhimit rus “Melanzhi” do të eksportohen në Suedi
1.5 tonë cianure do të transportohen këto ditë për t’u shkatërruar në Angli