E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa, çelësi për të rritur fitimet e bizneseve

06/04/2009  Prof. Dr. Ilia Kristo: Bineset e konsoliduara interes të punojnë me rregulla

Bizneset e konsoliduara janë të interesuara që të punojnë e rregulla, madje ato e shohin Bursën e Tiranës si një mundësi për të rritur fitimet e tyre. Ky është opinioni i një prej ekspertëve të ekonomisë, profesorit Ilia Kristo. Ai thekson për gazetën “Metropol”, se Bursa është një instrument i domosdoshëm për vendin tonë sidomos në kushtet e zgjerimit të tij drejt Bashkimit Evropian.

1. Sipas mendimit tuaj, funksionon aktualisht Bursa e Tiranës?

Pa qenë ekspert për bursën, por duke e parë nga pozita e bizneseve me prirje eksporti dhe zhvillimi konkurrues, unë e gjykoj që bursa ende është në proces maturimi, konsolidimi, thuajse e gatshme të bëjë hapin për t’u kthyer në Bursë ashtu siç ka emrin. 2. Mendoni se pas kalimit të kësaj krize, Bursa e Tiranës do të vërë "në shina" tregun e kapitaleve si dhe do të ndikojë në konkurrueshmërinë e ndershme të bizneseve? Apo, për këto të fundit do të vazhdojë "teknika" e frikës duke mos deklaruar fitimet, nga taksat e shtetit?

Funksionimi i Bursës është veç të tjerash plotësim i nevojave të bizneseve për të optimizuar strukturën e financimeve të tyre dhe është kjo kërkesë që në sasinë dhe cilësinë e saj do të “detyrojë” funksionimin e bursës. Kush nga bizneset do ta kërkojë këtë? Kuptohet bizneset proaktive në prirje drejt konkurrueshnmërisë dhe eksportit, të cilat jo vetëm nuk kanë frikë por e kërkojnë me ngulm atë si nevojë të zhvillimit dhe zgjerimit të biznesit të tyre. Këto biznese të konsoliduara janë të interesuar “të punojnë me rregulla”. Veç kësaj, mos harroni që janë marrë një sërë masash mjaft të efektshme për regjistrimin elektronik, pagesat, transparencën që minimizojnë sjelljet të caktuara jo etike të biznesit. Bizneset konkurruese me gjasa për ndërkombëtarizim në kushtet e një ekonomie të hapur jo vetëm që nuk kanë frikë, por e kërkojnë bursën si një nevojë në këtë proces, por edhe si një barrierë për hyrësit e rinj apo që nuk punojnë sipas rregullave.

3. Mendoni se Bursa e Tiranës mund të jetë "çelësi " për të rritur financimet e bizneseve të huaja me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit vendas?

Patjetër, madje as mund të mendohet që ato mund të jenë të efektshme pa këtë instrument të domosdoshëm në kushtet e një ekonomike të hapur e të integruar ndërkombëtarisht siç po bëhet Shqipëria. Duhet thënë se ne jemi aq larg apo afër BE-së aq sa është larg apo afër institucioni i Bursës me atë të vendeve që synojnë BE-në.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›