E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Urdhri i Mjekut” kundër dypunësimit të mjekëve



Emanuela Sako

Dypunësimi i mjekëve në shtet dhe në privat lë vend për një sërë abuzimesh me pacientët. Në të njëjtën kohë sjell edhe çrregullime në sistemin shëndetësor. Burime nga “Urdhri i Mjekut” sqarojnë se mjekët e dypunësuar nuk mund ta kryejnë siç duhet punën e tyre dhe kjo vlen më shumë për shefat e shërbimeve. Sipas “Urdhrit të Mjekut”, shefat e shërbimeve shfaqen më problematikët nëse dypunësohen. Kjo vjen sepse nëse një shef pavijoni ka një klinikë të vetën private ose është i punësuar në të, ai detyrimisht do të neglizhojë punën në klinikën shtetërore dhe do të shkojë të punojë në atë private. Por, në të njëjtën kohë, mjekët vartës të tij do të lënë pas dore punën, pasi kontrollori kryesor i punës së mjekëve në një pavijon është shefi i pavijonit. Shefat kanë të drejtë të ndjekin të gjithë të sëmurët që janë shtruar dhe të njihet me të gjitha procedurat për ndjekjen e gjendjes shëndetësore dhe kurimin që i është bërë apo i duhet bërë një pacienti.
Mekanizmi
Pjesa më e madhe e mjekëve janë të punësuar në spitale shtetërore dhe në privat, por ende nuk ka statistika të sakta për këtë gjë. Kjo vjen për shkak se nuk ka një mekanizëm që të bëjë të njohur dhe të kontrollojë normalisht punën e mjekëve të dypunësuar. “Urdhri i Mjekut” u lejon mjekëve të drejtën e ushtrimit të lejes së profesionit, ndërsa Ministria jep lejen dhe shqyrton kushtet për klinikën që duhet të hapë një mjek dhe të punojë në të. Kështu, nuk ka një rregullator konkret për të ndjekur dhe shqyrtuar punën e tyre. Në këtë mënyrë mjekët janë të lirë të punojnë sipas dëshirës, duke lënë pas përgjegjësitë. Ata mbi të cilët bien pasojat janë qytetarët, të cilët nuk dinë ku të shkojnë në klinikat shtetërore apo private dhe kujt mjeku t’i besojnë: atij që punon në shtet, apo të njëjtit mjek, por që vizitën e kryen te privati?
Problemet
Problemet që shfaqen nga dypunësimi i mjekëve janë të shumta. Një mjek që punon në një spital shtetëror nuk angazhohet në punë aq fort sa për punën që kryhet në klinikë private. Madje, klinika private i ka të gjitha kushtet dhe ka tarifa të shumëfishuara për kryerjen e vizitave. Mjekët i drejtojnë pacientët në klinikat e tyre private, duke i orientuar se iks vizitë kryhet në klinikë private dhe aty përgjigjja merret më shpejt dhe është më e saktë. Fitimet e mjekëve janë më tepër në klinikat private, por punësimi në klinikën shtetërore shërben për të kapur “prenë” e tyre. Sipas rregullores, mjekët nuk duhet të punojnë në klinikat private gjatë orarit që punojnë në klinikat shtetërore. Por po të ndjekësh ditën e një mjeku në një spital, në shumicën e rasteve nuk e gjen ose duhet të lësh takim. Sidomos pas orës 13 të është shumë e vështirë ta gjesh në spital. Arsyeja është fare e thjeshtë, sepse ata kanë orare vizitash edhe në klinikën private dhe pacientët në klinikë private gjejnë shërbim të kualifikuar dhe nuk duhet të presin gjatë.
Mjekët
Dypunësimi i mjekëve shpeshherë është parë si një ndër problemet kryesore që po e degradon Shëndetësinë, pasi mjekët, duke punuar në spitalet shtetërore dhe private, i dërgojnë pacientët pranë klinikave të tyre private. Në këto klinika kushtet dhe shërbimi janë për t’u pasur zili nga sektori shtetëror. Por, ministrja Godo, në një deklaratë të pak ditëve më parë, e ka cilësuar si çështje që nuk shkakton aspak problem, por duhet parë si një mundësi e mjekëve për të punuar për familjen e tyre. Ndërsa mungesa e mjekëve specialistë në rrethe është një ndër problemet kryesore ku duhet ndërhyrë, pasi rrethet e largëta të vendit kanë mungesë mjekësh dhe mungesë të kurimit. Godo ka vlerësuar si zgjidhje kryesore punësimin sezonal me kontratë të specialistëve të ndryshëm në ato zona. Ndërkohë që duhet bërë shumë kujdes në planifikimet që i dërgohen Ministrisë së Shëndetësisë nga rrethet. Ndërsa kontrata duhet të përmbajë elementë shtrëngues, që t’i detyrojë mjekët specialistë të kthehen në rrethin që i ka dërguar për t’u specializuar

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›