Shqipëri-Kosovë, për herë të parë me një Abetare
Vitin e ardhshëm shkollor 2012-2013 për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë do të ketë një abetare të përbashkët. Një tekst i njëjtë do të qarkullojë në të gjitha klasat e para të dy shteteve, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar disa muaj më parë mes dy Ministrive të Arsimit, asaj shqiptare dhe asaj kosovare. Këshilltari i ministrit Myqerem Tafaj, Jovan Kristiqi, shprehet se në muajin nëntor do të nisë dhe konkursi mes shtëpive botuese.
“Do të jenë shtëpi botuese me marrëveshje të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, po kështu dhe autorët do të jenë të përbashkët. Ky do të jetë libri i parë në marrëveshjen që do të pasohet me libra të tjerë. Këtë libër patjetër do e fusim në muajin shtator të vitit 2012, aq më tepër që kombinon dhe me 100-vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar në të dy vendet”, - sqaron këshilltari i ministrit të Arsimit. Më tej ai bën të ditur se, në përzgjedhjen e shtëpive botuese që do të merren me botimin e librit të abetares, do të ketë vetëm një kriter. “I vetmi kriter do të jetë që të jetë një subjekt i përbashkët, shqiptaro kosovar”, - thotë Kristiqi. Ndërkohë në vendin tonë, krahas kësaj abetareje, në bazë të reformës së Altertekstit do të ketë në qarkullim edhe abetare të autorëve të tjerë, por në shtetin e Kosovës kjo do të jetë e vetmja abetare, për fëmijët e klasave të para. Përsa i përket çmimit që do të ketë teksti i abetares, ai do të vendoset në bazë të rregullores së përcaktuar nga MASH.