E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bursa, peng i biznesit të sinqertë

15/01/2005  Duket një rreth vicioz i pazgjidhshëm. Bizneset nuk kujtohen në bursë, sepse nuk janë të “sinqerta”; moskuotimi në bursë i heq të drejtën e përfitimeve të financimeve; bizneset nuk kanë nevojë të financohen nga bursa, sepse gjejnë para në forma të tjera; bursa nuk funksionon dhe, si rrjedhojë, bën që qytetarët të mos investojnë paratë në kompanitë private; mosinvestimi i parave në kompani private, bën që kjo sasi parash të qarkullojë në rrugë; janë pikërisht paratë e rrugës që financojnë bizneset. Një rrëmujë e tillë duket se nuk u zgjidh as dje, në konferencën e organizuar për të mirat e bursës. Kësaj i shtohet edhe hezitimi i pakuptimtë i shtetit për të mos kuotuar SH.A. e veta.

Elvin Meka, drejtori i Bursës, u përpoq të rendiste të gjitha të mirat e kuotimit në bursë të një biznesi. Por përgjigjja e Bregasit ishte më pesimistja. Kreu i Dhomës së Tregtisë, theksoi se biznesi nuk ia kishte nevojën bursës. Një çudi kjo që përfaqëson të gjithë bizneset, edhe ata (në rast se ekzistojnë) që janë të sinqertë.

Bursa e Tiranës është vendi ku bizneset e “ndershme” mund të sigurojnë kapitale pa qenë nevoja të marrin borxh nëpër banka dhe mbi të gjitha të bëjnë të njohura biznesin e tyre përpara publikut. Publiku ka interesin e vet të vizitojë herë pas here bursën, sepse atje mund të gjejë aksione me vlera të leverdisshme, ku mund të shtojnë paratë e tyre, më tepër se sa t’i mbyllin nëpër banka. Gjithçka duket se flet pro bursës, por deri më sot, askush nuk ka marrë mundimin të listohet në Bursën e Tiranës. Rreth 70 mijë biznese të liçensuara, një pjesë e mirë e të cilave plotësojnë kushtin për të qenë sh.a, nuk kanë marrë mundimin të zgjedhin rrugët e favorshme që ofron bursa. ”Bursa është refleksion i nivelit të ekonomisë shqiptare dhe e normës së lartë të informalitetit“, thotë prof.Sherif Bundo. Ndërkaq, Ervin Meka ka kujtuar se, bursa është një treg brenda tregut të madh financiar. “Por mungon ajo që na bën bursë dhe që janë ndërmarrjet e kuotuar“, ka pranuar Meka. Duket se historia e gjatë dhe shumëvjeçare e burses, e filluar në ’96-ën dhe e legalizuar përfundimisht në korrik të 2003-shit, ka akoma shumë rrugë për të bërë. E thënë shkurt dhe qartë nga prof.Bundo, informaliteti është shkaku kryesor i moskuotimit në bursë të asnjë kompanie. “Na mungon fakti që te bursa nuk gjejmë një nevojë”, ka thënë Luan Bregasi, në lidhje me mungesën absolute të biznesit në bursë. Por, Bregasi nuk ka përmendur në fjalën e tij evazionin e bilanceve kontabël të kompanive, që nuk kanë asnjë shans për të besuar në aksione që ato do të kishin dëshirë të kuotonin në bursë. Problemi i bilanceve dyshe dhe i mosdeklarimit real të xhiros dhe të të ardhurave, është dhe ajo çfarë nuk i bën të besueshme aksionet në bursë. Problemi me të cilin janë përplasur fillimisht bankat, duke qenë mosbesuese ndaj bilanceve që paraqesin bizneset, tani është bërë një hall i bursës. Por, ndërkaq, duket se në bursë nuk kanë marrë mundimin të kuotohen as kompani të mëdha, siç janë KESH apo Albtelekom, të cilat vitin e fundit kanë dorëzuar bilance me fitim dhe kanë rezultuar se janë të suksesshme. “Përse KESH-i duhet të marrë borxh në vend që të shesë obligacione, të cilat do të bliheshin menjëherë nga qytetarët, të cilët janë të interesuar t’i investojnë në këtë formë paratë e tyre”, tha Luan Bregasi. Kështu, duket se të humbur janë dhe qytetarët, të cilët do të kishin mundësi të bëheshin pronarë në biznese të suksesshme, duke marrë çdo muaj përqindje nga fitimi. “Bursa do të ishte vendi ku njerëzit me para dhe kapitale mund të takohen me ata që kanë projekte dhe ide”, ka thënë Luan Bregasi. Por duket se individët kanë filluar ta shfrytëzojnë këtë mundësi në bursat e huaja, duke u bërë pronar aksionesh në tregje të tjera. “Ka biznese dhe individë, sidomos emigrantët, që blejnë aksione në bursat e huaja dhe do të ishte një gjë shumë e mirë që të bëheshin dhe këtu”, thotë prof.Sherif Bundo.

Luan Bregasi

Bizneset nuk kanë

nevojë për bursë

Të gjithëve na mungon fakti që te Bursa nuk gjejmë një nevojë, ndërkohë që ai është një treg ku mund të sigurohen financimet e nevojshme, nëpërmjet shitjes së aksioneve ose obligacioneve. Në këtë treg fitojnë të dy palët, duke sjellë në industritë e fuqishme financime dhe duke përfituar prej tyre. Tashmë është i lartë numri i kompanive që e kanë kaluar fazën e parë të emergjencës dhe janë në momentin kur kanë nevojë të investojnë në të tjera biznese të suksesshme, por për këtë i duhen paratë që mund t’i gjejnë te bursa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›