Droga e Vlorës, në gjykatë edhe pesë të tjerë
15/01/2005 TIRANË- Pesë të pandehur të tjerë, protagonistë të trafikut të lëndëve narkotike nga Vlora në Itali, erdhën dje në gjykatë për të marrë masën e sigurimit. Ndonëse asnjë prej tyre nuk e pranoi veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, ata me kërkesë të prokurorit Julin Papa mbetën të gjithë në burg pa afat. Emrat e të pandehurve Ergys Ismaili, Ergys Kaçi dhe Artan Sadiku, i bashkohen tre emrave të tjerë, që ranë në duart e policisë në datën 10 janar, ditë e diel. Të pandehurit që u kapën nga policia disa ditë pas kapjes së dy pronarëve, një shqiptar dhe një italian, kanë qenë ndërmjetës dhe kanë patur pjesën e tyre të veprimtarisë. Megjithatë, para gjykatës, ata janë shprehur se kanë rënë në duart e policisë në sajë të një keqkuptimi dhe jo sepse janë autorë të veprës penale. Sipas akuzës, bëhet e ditur se njëri prej të pandehurve ka bashkëpunuar për të nxjerrë emrat e personave të tjerë. Policia arriti të kapë gjatë kontrollit rutinë të saj, sasinë prej 312 kilogramë hashash. Të gjithë të pandehurit, përfshi edhe shtetasin italian, u dërguan në burg pa afat. Përfaqësuesit e akuzës u shprehën se, në këtë trafik ka edhe persona të tjerë shumë të implikuar dhe që janë në listën e të kërkuarve. Masa e arrestit të pandehurve iu komunikua nga kryetari i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Mësohet se asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, edhe pse ishin të bindur se sasia e hashashit u gjend në maunen e drejtuar nga Edmond Papa. Dy pronarët e maunes, italiani dhe Ilia Simoni, kanë pranuar se malli që gjendej brenda ishte në emër të tyre, por nuk kanë qenë dakord me akuzën e ngritur. Ata janë shprehur të habitur për ngjarjen dhe kanë bërë të paditurin, në lidhje me mënyrën se si ka mbërritur sasia e hashashit në maunen e tyre. Por kapja e personave të tjerë të implikuar, i jep tjetër drejtim ngjarjes. Ngarkesa, sipas akuzës, nuk ishte e para që nisej për në Itali. Të pandehurit, edhe herë të tjera kanë bashkëpunuar për të kryer këtë lloj trafiku.