E Diel, 1 Nëntor 2026

"Erieta" dhe "Koçi" në dorë të antiterrorit

15/01/2005  TIRANË –Hetimi i dy dosjeve, sa misterioze aq edhe të bujshme, është pezulluar këto ditë nga Prokuroria e Tiranës, për mungesë provash. Por tej procedurës së zakonshme të pezullimit të hetimeve, me një rekomandim të posaçëm, organi i akuzës ka kërkuar delegimin e këtyre dy fashikujve hetimorë në Sektorin e Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Provat për vrasjen e Erieta Avdylit, bashkëshorte e ish-shefit të Komisariatit numër 1 në Tiranë dhe, atentatit ndaj avokatit Kleanthi Koçi, kanë shkuar këto ditë në duart e agjentëve të Antiterrorit. Zyrtarisht, ky fakt konfirmohet nga burime të Prokurorisë së kryeqytetit, të cilat thonë se dosjet janë dërguar për ndjekje operative në sektorin e Antiterrorit. Ndërsa burime të këtij sektori nuk kanë konfirmuar atë çfarë po ndodh me dy dosjet, të cilat nuk është hera e parë që kthehen për mungesë provash nga Prokuroria në polici.

Dosjet

Një zyrtar i Prokurorisë së Tiranës, duke dashur të ruajë sekretin e hetimeve, thotë se të dy dosjet i kanë autorët, por jo provat kundër të dyshuarve. Ky, sipas tij, është edhe shkaku pse materialet e këtyre dosjeve po lëxohen këto ditë nga agjentët e Antiterrorit, të cilët besohet se kanë fillur veprimet e para operative ndaj personave të dyshuar në të dy dosjet. Burimet e Prokurorisë së Tiranës, kanë dashur të saktësojnë se, dy dosjet, nuk kanë asgjë të përbashkët sa i përket hetimit apo të dyshuarve, veç faktit se janë pezulluar në të njëjtën kohë. “Si rrjedhim, edhe korrieri i Prokurorisë i ka dërguar njëherazi në në polici”, pohuan zyrtarisht burimet nga organi i hetimeve në kryeqytet.

Vrasja e avokatit

Një plumb i vetëm ka lënë pas tytën pak të nxehur me silenciator të një pistolete “Zastava” dhe ka qëlluar mbi avokatin Kleanthi Koçi, i cili, në atë kohë, kryesonte Dhomën e Avokatëve të Shqipërisë. Ngjarja ka ndodhur në datën 21 shkurt 1999, vetëm pak metra larg 15-katëshit, në qendër të kryeqytetit. Në dosjen e ngjarjes, autori i atentatit përshkruhet në moshë të re, ndërsa gjatë antentatit në trup kishte hedhur një xhup të zi. Sipas përshkrimeve të dëshmitarëve të ngjarjes, atentatori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pa maskë në kokë, ndërsa avokati Kleanthi Koçi ka mundur të ecë për rreth 30 metra nga vendi ku është qëlluar, derisa ka kërkuar ndihmë, pastaj ka mbetur. Dyshimi i pavërtetuar edhe sot nga hetuesit, për shkakun e mundshëm të vrasjes, janë disa prej çështjeve e të pandehurve të mbrojtur nga avokati në Gjykatë.

Zhdukja e Erietës

Të lehurat me ngulm të një qeni në fshatin Romanat të Durrësit, 13 majin e dy viteve më parë, askush nuk do t'i besonte se do të çonin në një zbulim të madh. Pranë shtëpisë së tij, një fshatar i zonës afrohet te zona ku gërmonte qeni i tij i shtëpisë dhe sheh trupin e pajetë e të dekompozuar të një njeriu. Hetimet intensive të policisë dhe Prokurorisë, për zhdukjen e Erieta Avdylit, tre vjet para zbulimit në Romanat, nuk ishin zbehur. Pasi zhvilluan disa ekspertiza dhe verifikime, ekspertët, policia dhe Prokuroria, deklaruan zyrtarisht se 33-vjeçarja Erieta Avdyli, punonjëse e zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, ishte vrarë dhe hedhur në një pirg plehrash në Romanat, fshat në rrethin e Durrësit. Bashkëshortja e ish-shefit të Komisariatit numër 1 të policisë së Tiranës, është zhdukur në orën 18.00 të mbrëmjes së 11 prillit 2000. Hetimet e Prokurorisë dhe të SHISH-it kanë zbuluar se atë natë, pasi ka dalë nga zyra, Erieta ka hipur në biçikletë, por më pas asgjë nuk dihet. Filli i ngjarjes, rigjendet me zbulimin se, natën e zhdukjes, Erieta Avdyli kishte lënë të takohej dhe të bisedonte me të motrën, në shtëpinë e prindërve.

“Erieta”, tri pistat

zyrtare të hetimit

Burime nga Prokuroria thanë dje se pistat në të cilat është hetuar për zhdukjen e 33-vjeçares Erieta Avdyli, kanë të bëjnë me mundësinë e vrasjes nga i shoqi, rrëmbim nga dikush për arsye ende të panjohura, apo një vetëzhdukje apo largimi të paramenduar për jashtë vendit, me qëllimin për t’i shpëtuar gjendjes së vështirë në të cilën kishin arritur marrëdhëniet në familje. Hetuesit nuk kanë arritur të zbardhin prova në mbështetje të asnjërës nga pistat, të cilat janë versione të njëjta hetimi me ato që janë ngritur vetëm pak kohë pas ngjarjes. Organi i akuzës, nuk arriti të provojë në Gjykatë dyshimet mbi të shoqin e Erietës, Dritan Avdyli. Gjykata e Tiranës ka rrëzuar të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tij, duke e shpallur atë të pafajshëm. Mundësia e një vetëlargimi është e pabesueshme, për faktin se pas ngjarjes së bujshme, Erieta Avdyli nuk dha asnjë shenjë ekzistence, edhe pse zhurma e zhdukjes së saj i kaloi kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Dosja “Erieta” u rihap pranverën e shkuar, pas kërkesës së familjarëve të 33-vjeçares. Ata shfaqën pretendimet e tyre për shkelje proceduriale në dosje, ndërsa Prokuroria, nuk e ka konfirmuar këtë fakt. Pas disa muajsh hetime, organi i akuzës ka vlerësuar se dosjes i mungojnë provat e fajësisë për të dyshuarit dhe materialet ia ka përcjellë policisë, sipas procedurës ligjore në të tilla raste.

Hetimet për vrasjen

e Kryeavokatit

Me një urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, disa muaj më parë, dosja për vrasjen e ish-Kryetarit të Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, u rihap. Pas disa vitesh në polici, dosja i kaloi Prokurorisë edhe njëherë, me shpresën se kësaj radhe provat e mbledhura gjatë hetimeve operative të policisë, do t'i çonin hetuesit te shkaku dhe autori i atentatit. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, rikthimi i dosjes nga policia në Prokurori, bëhet vetëm kur materialet e ngjarjes shtohen me prova të reja për autorin dhe shkaqet e vrasjes. Në fakt, Prokuroria, edhe pse e rihapi dosjen, duke e rikthyer atë në hetim, nuk deklaroi asgjë lidhur me provat apo ecurinë e hetimit drejt identifikimit të atentatorit. Sipas burimeve të Prokurorisë, pas rihapjes së saj, dosja u rishqyrtua edhe njëherë nga hetuesit. Bazuar në një letër, e cila mbërriti pak ditë pas vrasjes në Prokurorinë e Tiranës, hetuesit kërkuan marrjen në pyetje të një personi, i cili, sipas letrës, e kishte parë vrasësin kur i kishte prerë rrugën avokatit, duke qëlluar mbi të me armë. Por, kjo tentativë ishte e dështuar prej fillimit të saj. Entuziasmi i letrës u fashit në pak ditë dhe hetuesit nuk arritën të marrin deklarime apo prova të reja, nisur nga kjo letër. Në fakt, hetuesit kanë arritur të shkojnë në spital para se avokati të ndahej nga jeta. Por ai u ka kërkuar kohë prokurorëve dhe hetuesve, duke u thënë se, pasi të përmirësohej gjendja e tij shëndetësore, do të tregonte gjithçka. Por një atak i papritur në zemër, 10 minuta pasi avioni ishte ngritur nga Rinasi drejt Romës, ku do të shkonte për kurim, ka ndarë nga jeta avokatin, duke mos i dhënë mundësi të tregonte të vërtetën e atentatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›