E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moti, probleme fluturimesh drejt Italisë

15/01/2005  Moti i keq rikthen probleme në linjat e fluturimit drejt Italisë. Dje avioni i linjës Tiranë-Milano është endur nëpër hapësirën territoriale të Italisë, pa patur të drejtën të ulet në destinacion. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se, 80 pasagjerët e aeroplanit të nisur nga Rinasi, janë ulur në Fiumicino. Për më tepër se 2 orë, avioni i kompanisë shqiptare ka qëndruar i ulur në aeroportin e kryeqytetit italian, por pasagjerët nuk janë lejuar të dalin në sallat e pritjes. Kësisoj, nga Roma, aeroplani me 80 bashkëkombas ka përfunduar në Bergamo.

"Kompania"

Ndërkohë, Ylli Seriani, drejtor i fluturimeve në kompaninë "Albanian Airlines", ka sqaruar incidentin e ndodhur me 80 pasagjerët ditën e djeshme. Pilot prej 25 vjetësh dhe drejtor prej 12 vjet, Seriani ka pohuar për gazetën se kishin planifikuar të shkonin në mëngjes, por vonesa është shkaktuar për arsye kohe. Sipas drejtorit, ulja është bërë në orën 11.00, por për arsye se sheshpamja ishte shumë e kufizuar, kjo nuk është realizuar. Avioni është drejtuar për në Romë, ku ka pritur dy orë deri në përmirësimin e motit. Rikthimi ka sjellë të njëjtin problem dhe avioni është drejtuar për në aeroportin rezervë në Bergamo. Udhëtarëve u janë ofruar autobusë për të shkuar në aeroportin rezervë, nga ku do të bëhej fluturimi në adresën e porositur. Seriani ka pohuar se dje, një tjetër mjet i kompanisë është nisur nga Italia rreth orës 18 e 45 dhe ka mbërritur në Rinas pas dy orësh. Forli, Pizza, Bolonja, janë disa nga aeroportet rezervë, ku avionët e kompanisë kanë të drejtë të ulen në raste kur koha e keqe minimizon mundësinë e uljes normale në qytetet e tjera.

Koha, ka pohuar drejtori i fluturimeve, ka një javë që ka probleme dhe parashikimet e meterologëve nuk është se janë kronometrike. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Besojmë se ndonjë nga pasagjerët ka komunikuar me familjen, duke dhënë lajmin se mosulja ka shkaqe financiare, gjë që nuk qëndron, pasi fluturimet tona drejt Italisë janë të përditshme dhe detyrimet janë paguar gjithnjë në mënyrë korrekte. Këtë, pohon Seriani, e provon rregullsia e udhëtimeve tona. Madje, ka shtuar piloti me përvojë, katër pasagjerë që do të udhëtonin për në Amerikë, ne i bindëm të zbrisnin, pasi koha e keqe mund të vononte qëndrimin e tyre në Itali dy apo tri ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›